Policia e Kosovës ka njoftuar se në një operacion i zhvilluar në Gjakovë dhe Gjilan, ka rezultuar me arrestimin e tre personave të dyshuar dhe ka konfiskuar mbi 19 kilogramë substancë narkotike.
Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, ka zhvilluar operacione në Gjakovë dhe Gjilan, me qëllim të luftimit të trafikimit të narkotikëve.
Në një komunikatë, Policia e Kosovës ka njoftuar se në rajonin e Gjilanit, në fshatin Novosellë të komunës së Kamenicës, ka sekuestruar një sasi prej 19.370 gramë substancë të dyshuar narkotike dhe ka arrestuar dy të dyshuar.
“Operacioni policor në rajonin e Gjilanit, është realizuar konkretisht në fshatin Novosellë të komunës së Kamenicës, i cili ka rezultuar me sekuestrimin e një sasie prej 19.370 gramë substancë e dyshuar narkotike si dhe me arrestimin e dy të dyshuarve: I. R. mashkull, kosovar shqiptar, (1961) dhe A. R. mashkull, kosovar shqiptar, (1988) Të dyshuarit janë arrestuar pasi të njëjtit janë zënë në flagrancë duke e shkarkuar një sasi të substancës narkotike nga vetura
‘Golf 5‘, të cilën e posedonin të dyshuarit”, shkruan në komunikatën e Policisë.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shteti dhe Gjyqtari i Procedurës paraprake me urdhër të të cilëve është kontrolluar edhe shtëpia e të dyshuarve të lartcekur, ku gjatë kontrollit në podrumin e shtëpisë u janë gjetur edhe dy paketime me substancë narkotike të llojit ‘Marihuanë’.
Ndërsa në rajonin e Gjakovës, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë gjatë operacionit të përbashkët ka realizuar një bastisje e cila ka rezultuar me sekuestrimin e një arme dhe disa fishekë.
“I dyshuari L. A. mashkull, kosovar shqiptar, (1988), është arrestuar dhe ndalur në qendrën e paraburgimit në Gjakovë”, thuhet në komunikatë.
Sipas të dhënave të Policisë, gjatë operacionit të përbashkët, në cilësi të provave materiale janë sekuestruar : 19.370 gramë substancë e dyshuar narkotike, vetura Golf 5, një armë AK-47, 24 fishekë, 7. 62mm, një peshore elektronike dhe një telefon Samsung.
Veprimet e ndërmarra nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve kanë qenë në koordinim me prokurorin e shtetit të Gjilanit dhe atë të Gjakovës me aktvendim të të cilëve të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.