Lidhur me aktivitetet dhe manifestimet tradicionale religjioze ortodokse të festës së ‘Vidovdanit’, Policia e Kosovës ka ndërmarrë me kohë të gjitha veprimet paraprake, duke përgatitur planin operativ për menaxhimin e situatës së sigurisë.

Plani operativ policor u realizua me qëllim që gjatë aktiviteteve të mbajtura të arrihen objektivat si në vijim:

* Mbajtja e rendit dhe sigurisë publike dhe zbatueshmëria e ligjit në vend.

* Shtimi i masave të sigurisë për të garantuar rend, qetësi dhe siguri publike, para, gjatë dhe pas manifestimeve.

* Garantimi i lirisë së lëvizjes së lirë për të gjithë qytetarët.

* Kontrollimi dhe rregullimi i nevojshëm i rrjedhës së trafikut në të gjitha rrugët magjistrale, rajonale dhe ato lokale.

* Përcjellja dhe sigurimi i eskortave, individëve dhe grupeve të veçanta.

* Zbatimi i kompetencave dhe autorizimeve ligjore, përballë situatave të ndryshme dhe marrja e masave ndaj të gjithë shkelësve të ligjit, konform ligjeve të Republikës së Kosovës.

“Sa i përket aspektit të sigurisë, Policia e Kosovës me njësitet e saja relevante të caktuara sipas planit operativ, gjatë gjithë kohës është përkujdesur për mbarëvajtjen e manifestimit, në mënyrë që të kalojë qetë dhe pa incidente”, thuhet në komunikatë.

“Njësitet policore po ashtu janë angazhuar edhe në mbarëvajtjen e qarkullimit të trafikut, duke ridrejtuar automjetet në rrugë alternative gjatë kohës, përderisa kanë kaluar eskorta apo automjete të cilat kanë qenë pjesë e manifestimit, e të cilat kanë qenë nën përcjellje policore. Ndërprerja e qarkullimit të përkohshëm të këtyre rrugëve ka ndodhur në intervale të shkurtra kohore.

Referuar vlerësimeve në terren në këto manifestime morën pjesë rreth 700 (shtatëqind) pjesëmarrës, të cilët në mënyrë të organizuar kanë marrë pjesë në Graçanicë dhe Gazimestan të rajonit të Prishtinës.

Gjatë zhvillimit të të gjitha aktiviteteve manifestuese si në DRP Prishtinë po ashtu edhe në DRP Mitrovicë veri, sa i përket aspektit të rendit dhe sigurisë së përgjithshme çdo gjë ka shkuar sipas planit të paraparë operativ dhe nuk është shënuar asnjë incident”, thuhet në njoftimin e Policisë./Llapi.info