Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), në bashkëpunim të ngushtë me Ambasadën e Republikës së Gjermanisë në Kosovë, do t’i dorëzojë Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Forenzikës pajisje për kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta sot në ambientet e Agjencisë kosovare të Forenzikës.
Gjatë kësaj ngjarjeje, Programi i Sigurisë në Kosovë (KSSP) i UNDP-së do të dorëzojë pajisje që do të përmirësojnë punën e Agjencisë së Forenzikës dhe Policisë së Kosovës. Ndihma, gjithashtu, përfshin trajnimin e personelit përkatës për përdorimin e duhur të pajisjeve të dhuruara.
Pjesëmarrës në këtë ngjarje do të jenë edhe ambasadori i Gjermanisë, Sh. T. Christian Heldt, zëvendëspërfaqësuesja e përhershme e UNDP, znj. Alessandra Roccasalvo, zëvendësdrejtori për Burime në Policinë e Kosovës, Dejan Jankovic, kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë kosovare të Forenzikës, Blerim Olluri dhe përfaqësues të Ministrisë Punëve të Brendshme.
Pajisjet dhe trajnimet u mundësuan nëpërmjet kontributit bujar të Zyrës së Jashtme Gjermane.