Policia e Kosovës dhe ajo e Republikës së Shqipërisë, prej nesër (e diele, 1 korrik) fillojnë patrullimet e përbashkëta në rrugët e Shqipërisë, gjatë sezonit veror.

Siç njofton Policia e Kosovës, “të dielën, me datë 01.07.2018, turni i parë i zyrtarëve policor të Policisë së Kosovës, gjegjësisht të Njësive Rajonale të Komunikacionit Rrugor (NJRKRR) dhe Njësisë për Kontroll të Autostradave (NJKA), do të udhëtojnë për në Republikën e Shqipërisë për të filluar patrullimet e përbashkëta”, njofton Telegrafi.

“Fillimit të patrullimeve të përbashkëta do t’i paraprijë takimi i cili do të mbahet në ora 10:00 në Pikën e Kalimit Kufitar Vërmicë, nga ku pastaj së bashku me autoritetet e Policisë së Shtetit Shqiptar zyrtarët policor do të vazhdojnë për në Republikën e Shqipërisë, për detyrën konkrete sipas memorandum bashkëpunimit”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, në bazë të marrëveshjes mes sy vendeve, Policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, tash e disa vite kryejnë patrullime të përbashkëta gjatë sezonit veror, me qëllim të ngritjes së masave të sigurisë në rrugë.