Të dielën që lamë pas policia ka ndaluar tri dasma në Suharekë të cilat kishin shkelur vendimin e Qeverisë dhe Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19.
Në këto raste, policia kishte intervenuar menjëherë, duke ndaluar aktivitetin e menjëhershëm dhe organizatorët janë ndëshkuar më tiketa në vlerë prej 200 euro, raporton Zeri.info.
“Më 11 prill 2021, policia në Suharekë kishte marrë informacion se në tri raste kishte të organizuara ahengje familjare (dasma) në kundërshtim më Vendimin e Qeverisë Nr.01/05 dhe ligjit Nr.07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19”, thuhet në njoftimin e policisë.
Gjithashtu bëhet e ditur se policia ka monitoruar dhe kontrolluar lokalet e gastronomisë, nga të cilët ka kërkuar të respektohen Vendimi i Qeverisë dhe rekomandimet e IKSHP-së.
“Në lidhje më këtë policia ka asistuar inspektorët komunalë në një rast dhe ka shqiptuar 18 tiketa për mosmbajtje të maskës. Policia e Kosovës është e përkushtuar maksimalisht që në mënyrë profesionale të zbatojë Vendimet e Qeverisë dhe rekomandimet profesionale të IKSHP-së, në mënyrë që kontributi zyrtar i policisë të ndikojë në uljen dhe parandalimin e shpërndarjes së virusit COVID-19”, ka thënë Policia.