Policia e Kosovës (PK) ka reaguar pas raportimeve të djeshme në disa media xhendarmëria serbe një ditë më parë ka hyrë në territorin e Republikës së Kosovës në zonën e Karaçevës.

Sipas PK-së, shkrimet e publikuara nuk qëndrojnë dhe nuk i përkasin ndonjë informacioni zyrtar, pasi në datën 06.04.2021, është mbajtur një takim zyrtar në mes të përfaqësuesve të KFOR-it, në përbërje prej KFOR-it Amerikan, Turk dhe palës serbe.


“Referuar informacioneve zyrtare lidhur me zhvillimet e realizuara në terren vlerësohet se nuk kemi të bëjmë me hyrje të Gjendarmerisë serbe në territorin e Republikës së Kosovës, por kemi të bëjmë me realizim të një takimi zyrtar në cilësi të takimeve të rregullta. Prandaj konsiderojmë se opinioni publik duhet të informohet drejt dhe korrekt, Policia e Kosovës do të vazhdoj të jetë e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore ndaj qytetarëve dhe vendit, si dhe informimin e drejt të opinionit publik”, thuhet në komunikatën e PK-së.

Në vitin e kaluar ishte raportuar se 11 pjestarë të xhandarmërisë së Serbisë kanë hyrë në pikën kufitare të Kamenicës.Për këtë ishte marrë në interpelancë edhe ministri i asokohe, Agim Veliu.