Refik Hyseni nga Fushë Kosova po ankohet se policia e keqtrajtoi djalin e tij, A. Hyseni, pasi e shoqëroi në stacion policor për shkak të mosbartjes së maskës.
Ky thotë se zyrtarët policorë e shoqëruan pa të drejtë të birin e tij 14 vjeçar në stacion, si dhe ushtruan dhunë fizike e psikike ndaj tij.
I mituri ka pësuar stres dhe sipas Hysenit, që nga mbrëmja e së shtunës gjendet në Klinikën e Pediatrisë në QKUK.
“Shtypjen e ka pasur 160 me 100, kurse rrahjet e zemrës 146”, tregon Hyseni, transmeton Klan Kosova.
Sipas kryefamiljarit, i njëjti polic është sjellë keq edhe me të kur ky kishte shkuar në stacion që ta kuptojë arsyet e shoqërimit të të birit.
Ky thotë se e ka lajmëruar rastin në Inspektoratin Policor. Nga ky i fundit thanë për televizioni se e kanë pranuar ankesën dhe kanë dalë në terren. Kurse Klani nuk ka arritur të dielën të marrë një version nga policia lidhur me të dyja rastet.