Policia e Kosovës ka reaguar ndaj raportimeve në media se ndërprerja e pushimeve për pjesëtarët e saj, ka të bëjë për paralajmërimin e shpalljes së autonomisë së veriut.
Në një reagim të saj policia ka mohuar përfshirjen në skenarë të ndryshme, duke i quajtur të dëmshme për vendin.
Policia ka thënë se është e përkushtuar në kryerjen e obligimeve të përcaktuar më ligj, duke bërë thirrje tek qytetarët që të vazhdojnë te kenë besim në Policinë e Kosovës.
Komunikata e plotë e policisë:
Policia e Kosovës, si një ndër institucionet kryesore për zbatimin e ligjit, reagon ndaj disa deklarimeve dhe publikimeve, të disa mediave/portaleve për gjoja përfshirjen e Policisë së Kosovës në skenare të ndryshme dhe për hir të informimit të drejtë dhe korrekt, njofton qytetarët e vendit dhe mediat se deklarimet dhe publikimet e tilla nga kushdo qofshin ato janë të pa bazuara dhe të dëmshme për vendin pasi që ndikojnë në rritjen e tensioneve dhe krijojnë pasiguri ndër qytetarët e Republikës së Kosovës.
Ju konfirmojmë se detyrat e autorizimet e përgjithshme të Policisë së Kosovës janë të përcaktuara me ligjin për policinë, të orientuara në mbrojtjen e jetës, pronës dhe ofrimit të sigurisë, mbroj të drejtat dhe lirit themelore të të gjithë personave, garantimin e lëvizjes dhe shprehjes së lirë për të gjithë qytetarët e vendit pa dallim, menaxhoj dhe kontrolloj kufirin shtetëror, ofroj ndihmë gjatë fatkeqësive natyrore dhe në raste tjera emergjente.
Prandaj inkurajojmë të gjithë, në veqanti qytetarët që mos të bien pre e dezinformatave dhe spekulimeve të ndryshme, por të shfaqin besim si deri më tani në punën e Policisë së Kosovës dhe përkushtimin e saj kushtetues dhe ligjor për rend, qetësi dhe siguri të përgjithshme në vend.