Policia e Kosovës përmes një kumtese për medie ka dhënë detaje lidhur me rastin e sotëm ku në Podujevë dy nxënës janë plagosur derisa ishin në orët e mësimit në shkollën e mesme Teknike “Fan S. Noli”, transmeton Llapi.info.

PK ka bërë të të ditur se pasi kanë pranuar informatën, me të dalë në vendin e ngjarjes ka konstatuar se ka të bëj me një rast shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, ku nga një predhë e cila nëpërmes dritares ka depërtuar në klasë janë lënduar dy persona, nxënës deri sa ishin në orën e mësimit.

Të plagosurit janë: I.P 18 vjeçar i cili ka pësuar lëndime në buzë dhe A.R 17 vjeçar, lëndime në kraharor.

“Sot në ora 08:02 kemi pranuar informatën për një plagosje me armë zjarri në rrugën “Skënderbeu” në Podujevë, saktësisht në shkollën Fan S Noli. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore për ekzaminim të vendngjarjes. Me të dalë në vendin e ngjarjes policia ka konstatuar se ka të bëj me një rast shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, ku nga një predhë e cila nëpërmes dritares ka depërtuar në klasë, janë lënduar dy persona, nxënës deri sa ishin në orën e mësimit”, thuhet në njoftim.

Dy nxënësit e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor dhe janë jashtë rrezikut për jetë.

Pas konsultimit me prokurorin kujdestar është hapur rasti shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, ndërkohë që hetuesit policorë janë duke punuar për sqarimin e të gjitha rrethanave lidhur me këtë rast./Llapi.info