Në orët e para të mbrëmjes të së shtunës, objekti i ndërtuar për çerdhe në Podujevë është përfshirë nga flakët, raporton Llapi.info.
Si pasojë e zjarrit, dëme të mëdha ka pësuar çatia e kësaj çerdheje e cila nuk u funksionalizua kurrë, përkundër që punimet kanë përfunduar para rreth 17 viteve.
Rastin për Llapi.info mbrëmë e ka konfirmuar edhe Brigada e Zjarrfikësve të Podujevës.
Ndërkaq, Policia e Kosovës në raportin e saj ditor ka bërë të ditur se nga ky incident s’ka persona të lënduar.
“Rr. Hyzri Talla, Podujevë 03.08.2019-19:27. Është raportuar se në një objekt ka shpërthyer zjarri. Në vendin e ngjarjes kanë dal njësitë policore dhe zjarrfikësit të cilët e kanë lokalizuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit është dëmtuar pullazi i objektit. Të lënduar në këtë rast nuk ka pasur. Rasti është duke u hetuar”, thotë PK.
Ndryshe, ky objekt i ndërtuar për çerdhe ka përfunduar para 17 vjetësh, ndërsa nuk është funksionalizuar asnjëherë. E për këtë kritika kanë dhënë këshilltarët opozitarë, pasi që sipas tyre, çerdhet publike janë më se të nevojshme në këtë Komunë./Llapi.info