Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi ka treguar se ekipet e kërkim shpëtimit, të përbëra prej Policisë, pjesëtarëve të FSK-së dhe AME-së deri tani kanë kontrolluar 7 ura në Lepenc, por pa asnjë rezultat për trupin e policit, Armend Trena.
Gashi po ashtu ka thënë se për momentin ka reshje të mëdha dhe ekipet po pushojnë për të vazhduar më tutje sapo të përmirësohen kushtet atmosferike.
“Kërkimet kanë filluar sot në ora 9 në mëngjes, dhe kanë vazhduar deri në këto momente ku për pak kohë janë ndërpre kërkimet për shkak të kushteve jo të mira atmosferike dhe reshjeve të shiut. Janë kontrolluar deri më tani 7 ura të cilat kanë qenë këtu në Lepenc do të thotë, por fatkeqësisht nuk kemi hasur në asgjë. I kemi edhe dy ura dhe do të vazhdojmë edhe ato ti kontrollojmë. Dje dhe sot janë kontrolluar 7 ura. Për momentin është tu ra shumë shi i madh dhe për momentin janë tu pushu zhytësit edhe pjesëtarët e tjerë dhe po varet krejt prej kushteve atmosferike dhe nëse nuk ka rezultat sot nesër prapë në ora 9 fillojmë”, ka thënë zëdhënësi i PK-së, Gashi.
Ndryshe, Armend Trena dhe kolegu i tij Malsor Dashi u aksidentuan javën e kaluar afër lumit Lepenc në rrugën Hani i Elezit-Kaçanik.
Trupi i pajetë i Malsor Dashit ishte gjetur pas kontrollimit të një ure pas pesë ditë kërkimi, dhe është varrosur nën ceremonin shtetërore.
Ekipet ende po punojnë në gjetjen e trupit të Trenës që dyshohet po ashtu se ka rënë në lum pas aksidentit