Policia e Kosovës ka konfiskuar armë, municione dhe dokumentacione të dyshuara të falsifikuara, që ndërlidhen me kontrabandimin e migrantëve, ku ka arrestuar 8 persona të dyshuar, njofton Llapi.info
Policia e Kosovës, konkretisht Sektori i Hetimeve, në kuadër të Departamentit të Policisë Kufitare në Prishtinë, pas hetimeve disamujore, lidhur me rastet që kanë të bëjnë me veprat penale “kontrabandim me migrantë”, “mbajtje në pronësi të paautorizuar e armës”, si dhe “falsifikim i dokumenteve”, përcaktuar sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Në lidhje me këtë janë hetuar tetë (8) persona të dyshuar meshkuj Shqiptarë/Kosovarë, ku pesë (5) prej të cilëve janë të njohur për organet e drejtësisë si persona me të kaluar kriminale.
Të dyshuarit me inicialet: (I.M., S.M., S.M., E.M., B.B.) nga Podujeva, (G.B. dhe S.RR.) nga Peja si dhe (L.Sh.) nga Prishtina, dyshohet se kanë organizuar dhe kontrabanduar qytetarë nga Kosova për në shtete të ndryshme të BE-së.
Të dyshuarit në këmbim të kësaj veprimtarie dyshohet se kanë përfituar kundërligjshëm sasi të mëdha të të hollave.
Sot me datën 26.10.2017, duke filluar nga ora 06:00, Sektori i Hetimeve të Departamentit të Policisë Kufitare, të asistuar nga njësitë tjera të Policisë së Kosovës, lidhur me këtë rast kanë kryer një operacion policor të bastisjeve dhe arrestimeve në tri (3) lokacione të ndryshme të regjionit të Prishtinës.
Gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar:
• një armë e tipit AK47,
• 54 fishekë të kalibrave të ndryshëm
• një pushkë gjuetie,
• pajisje të ndryshme për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, pasaporta, lejeqendrime, patentë shofer, libreza të qarkullimit të veturave, diploma të ndryshme bllanko.
Gjatë këtij operacioni janë arrestuar katër (4) persona të dyshuar dhe pas intervistimit të tyre me urdhër të prokurorit të rastit të Prokurorisë Themelore – Prishtinë janë liruar në procedurë të rregullt, përderisa dy të dyshuar tjerë janë ende në kërkim, thuhet në një komunikatë për media nga Policia e Kosovës.