Pulmologu në QKMF-në e Podujevës, Ibrahim Hoti, është ndaluar për 48 orë për shkak se kishte refuzuar t’u jepte ndihmë disa qytetarëve në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Podujevë të enjten, me arsyetimin se kishte përfunduar orarin e punës, raporton Llapi.info.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka autorizuar Policinë që të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore duke iniciuar rastin ndaj mjekut për “mosdhënie të ndihmës mjekësore.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin se pas publikimit të pamjeve në media, lidhur me një rast i cili ka ndodhur sot, konkretisht në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Podujevë, ku disa pacientë nuk marrin shërbime shëndetësore nga ky institucion, Prokurori i Shtetit, menjëherë ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore, duke iniciuar rastin si “Mosdhënia e ndihmës mjekësore”, nga neni 255 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është intervistuar i dyshuari-mjeku me inicialet I.H., në drejtim të veprës penale të lartcekur dhe i njëjti është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
Hoti, pas publikimit të videos, është suspenduar edhe nga puna. Këtë e ka bërë të ditur drejtori i Shëndetësisë në Podujevë, Driton Veliu.
“Një video që po qarkullon në rrjete sociale, ku shihet sjellja jo e mirë e një mjeku në QKMF në Podujevë ndaj një pacienti të moshuar, është e papranueshme dhe nuk përkon as me etikën profesionale. E kuptoj se personeli shëndetësor është lodhur e dërmuar nga situata që po kalojmë në ballafaqimin me COVID-19, kurse gjendjen e bën edhe më të rëndë mungesa e stafit mjekësor në QKMF, pas shkuarjes në specializim të 12 mjekëve. Mirëpo, tërë kjo nuk e arsyeton një sjellje të tillë të mjekut, aq më pak ndaj një pacienti të moshuar”, ka shkruar Veliu në Facebook.
“Lidhur me këtë rast, Këshilli Drejtues i QKMF-së dhe pas analizës së këtij rasti, Këshilli kanë vendosur që mjeku të suspendohet përkohësisht nga marrëdhënia e punës deri në një vendim të ri të Komisionit Disiplinor. Duke shprehur keqardhje për këtë rast, jam i sigurt se kjo nuk e zbeh dhe nuk do të ndikojë në punën dhe angazhimin e stafit shëndetësor të QKMF në Podujevë në këtë periudhë pandemie në ofrimin e shërbimeve shëndetësore”, ka thënë ai./Llapi.info