Tashmë e dy javë, Policia e Kosovës ka bërë kontrolle të shtuara në qytetin e Podujevës, shkruan Llapi.info.

Këto kontrolle kanë qenë të përqendruara kryesisht në rrugët kryesore të qytetit të cilat kanë një frekuentim më të madh të qytetarëve.

Këto kontrolle, sipas zëdhënëses për informim në stacionin e Policisë në Podujevë, Antigona Çitaku – Dibrani, po bëhen me qëllim për t’i liruar hapësirat e destinuara për këmbësorë.

“Stacioni Policor i Podujevës ka shtuar numrin e zyrtarëve policorë në komunikacion, kjo duke e parë se është në interes të të gjithëve. Neve më herët kemi pasur fushata të ndryshme vetëdijesuese lidhur me vetëdijesimin e drejtuesve të mjeteve dhe këmbësorëve rreth respektimit të rregullave në komunikacion, por që edhe më pas ka munguar rregulli në komunikacion. Për këtë arsye vazhdon së implementuari Plani Operativ lidhur me sigurinë në komunikacion, respektivisht lirimin e trotuareve në rrugët e qytetit”, ka thënë Çitaku – Dibrani për Llapi.info.

Mirëpo, një gjë e tillë po kritikohet nga disa banorë të qytetit të Podujevës. Sipas tyre kontrollet e policisë të cilat po bëhen vetëm në rrugën kryesore të qytetit “Zahir Pajaziti” po u mundësojnë shoferëve parkimin e veturave në trotuaret në afërsi të shkollave. Thonë se bllokimi i tyre në afërsi të shkollave “Naim Frashëri” e “Shaban Shala” në qytet, po u krijon vështirësi nxënësve në frekuentimin e tyre.

“ Siç po e shihni edhe ju, trotuaret në afërsi të shkollave janë krejtësisht të bllokuara. Nxënësit për të shkuar në shkollë duhet të ecin rrugës dhe jo trotuareve të cilat janë të destinuara për ta” tha një banor për Llapi.info.

Kurse N. G. nxënës i shkollës fillore “Shaban Shala” tha për portalin Llapi.info se cdo ditë që shkon në shkollë po ka vështirësi që qarkullim, kjo pasi, sipas tij trotuaret janë të bllokuara nga veturat.

“Sa herë vi n’shkollë unë mu po m’duhet me ecë rrugës se në kto trotuaret gjithë ka kerre e për qata edhe po duhet me ec rrugës” tha ai.

Kujtojmë se që nga data 10 shtator deri më 23 të këtij muaji janë sekuestruar përkohësisht 99 vetura për parkingje të parregullta. Gjithë këto sekuestrime janë bërë në rrugët kryesore të qytetit. Kurse brenda kësaj kohe, deri më tani janë shqiptuar rreth 296 gjoba, kryesisht për parkingje të parregullta. /Llapi.info