Jo pak aksione ka zhvilluar Policia e Podujevës për lirimin e trotuareve dhe hapësirave tjera publike nga parkimi i parregullt i automjeteve, njofton Llapi.info.
Aksionet e policisë kanë qenë të përqendruara nëpër rrugët kryesore të qytetit, e që edhe janë më të frekuentuara. Për t’i liruar hapësirat e destinuara për këmbësorë shpeshherë ka pasur edhe shtim të patrullimit të policisë rrugore.
Përveç gjobave, Policia e Podujevës s’i ka kursyer as veturat që pengonin kalimtarët. Rreth 400 vetura janë konfiskuar vetëm gjatë vitit 2019. Kështu ka thënë për Llapi.info rreshterja në Stacionin Policor në Podujevë, Antigona Çitaku.
“Të konfiskuara kanë qenë 399 vetura për parkime të parregullta”, ka thënë ajo.
Krahasuar me vitin 2018, në vitin paraprak ka pasur shumë më pak automjete të konfiskuara. Në vitin 2018 (1223), kurse në vitin 2019 (399).
Sipas Çitakut, deri në fund të dhjetorit në qytetin e Podujevës janë shqiptuar gjithsejtë 7141 gjoba për shoferët.
Në çdo raport ditor të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se në nivel vendi për kundërvajtësit vihen rreth 1 mijë tiketa.
Numër i madh i gjobave ka shqiptuar edhe në nivel vendi Policia e Kosovës. Në statistikat e përgjithshme dërguar në Llapi.info, nga PK-ja është bërë e ditur se në vitin që tashmë lamë pas janë lëshuar plot 411 mijë e 127 gjoba.
Ndërkaq, për ta parandaluar parkimin e veturave nëpër trotuare tashmë janë vendosur edhe barriera. Nëpër rrugët kryesore të Podujevës janë vendosur “kunjat” për t’i shmangur parkimin jo të rregullt të automjeteve në hapësira të destinuara për këmbësorë. E në lidhje me këtë, Llapi.info ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga zyrtarë komunalë, por këta të fundit s’kanë dhënë detaje.
Në anën tjetër, Policia ka pasur fushata të ndryshme lidhur me vetëdijesimin e drejtuesve të mjeteve dhe këmbësorëve rreth respektimit të rregullave në komunikacion./Llapi.info