Shaban Tasholli, nënkryetar i sindikatës së Policisë së Kosovës, ka paralajmëruar masa nga kjo sindikatë, nëse nuk realizohet kërkesa e policëve për sigurim shëndetësor.
Dy ditë pasi dy policë kishin rënë me veturë zyrtare në lumin Lepenc dhe nuk dihet asgjë për fatin e tyre, Tasholli ka kujtuar edhe rastet e kaluara duke bërë të ditur se të gjitha familjet e policëve të rënë në detyrë marrin paga nga sindikata.
“Në vazhdimësi kemi pas kontakte me familjarët e policëve të rënë në detyrë. Si sindikatë jemi detyruar të kërkojmë edhe ndihma për ato familje. Kemi grumbulluar në dy runde nga 45 mijë euro, ndërsa në rundin e tretë 200 mijë euro. Në grumbullimin e fondit, tani ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli përmes kompanisë së tij ka dhënë 50 mijë euro, Elkos-i e disa kompani të tjerë kanë kontribuuar me shifra të mëdha”, është shprehur ai. “Edhe si drejtori, edhe si ministri jemi munduar që të jemi afër familjeve. Si sindikatë, por edhe si drejtori kemi vizituar çdo familje. Është rrogë mujore që marrin. Tani marrin rreth 300 euro çdo familje e policit që ka humbur jetën në detyrë”.
Tasholli ka thënë në KTV se kryesia e sindikatës së Policisë së Kosovës do të marrë pjesë në protestën e nesërme, më 1 maj, të organizuar nga BSPK. Ai ka deklaruar se po shqyrtojnë edhe hapat e ardhshëm, nëse nuk plotësohet kërkesa për sigurim shëndetësor dhe aksidental. Tasholli po ashtu ka thënë se nuk përjashton mundësinë e protestave.
“Sa i përket punës që po bëhet është e kënaqshme, por pa sigurim shëndetësor është e pakuptimtë. Kjo do të kapte 4 milionë euro për vit, që mund të mbahej vetëm me gjobat që i shqiptojmë. S’po dua të them se na kanë borxh në këtë formë, por si shtet duhet të bëhet sigurimi shëndetësor. Polici i lënduar në detyrë, shërimi i tij i plotë paguhet nga Fondi i Policisë. Të gjitha policitë e kanë sigurimin aksidental. Ajo është kur nëse polici vdes nga shkaqet natyrore paguhet deri 20 mijë euro, ndërsa aksidentale deri 30 mijë euro”, është shprehur ai. “Nuk përjashtohet mundësia se nëse s’kemi asnjë përgjigje jemi të detyruar të protestojmë. Jemi duke menduar për këtë çështje. Me ministrin e ri nuk jemi takuar zyrtarisht”.
Sipas Tashollit, pengesa më e madhe është te ministri i Financave. Ai ka thënë se vazhdimisht në përgjigje jozyrtare marrin fjalë të ndryshme, por kurrë edhe zyrtarisht.
“Pengesa është te ministri i Financave dhe Kryeministri. Kemi pas bisedë shumë të drejtpërdrejtë me kryeministrin. Ai e di se çka do të thotë siguria, por e di se pengesa është te ministri i Financave. Përgjigja e tyre asnjëherë nuk është jo, me shkrim jo por vetëm në përgjigje gojore. Zëvendësministri i Financave tha se ‘do të mundohemi ta bëjmë sigurimin shëndetësor, por më lehtë është ai jetësor dhe aksidental’. Por s’ka më asgjë. Jemi pa përgjigje. Deri sa jemi në këtë situatë ne do të veprojmë hapat sindikalë. Qysh nesër është një hap. Do të kërkojmë prapë takim me kryeministrin e ministrin e Financave dhe do t’u tregojmë se kërkesa jonë s’është e pafund. Shpresojmë të na mirëkuptojnë”.
Sa i përket çështjes së pensioneve për policët, Tasholli ka thënë se kjo çështje është duke u shqyrtuar nga drejtoria e Policisë. Ai ka thënë po ashtu se duhet të mendohet edhe për policët që kanë punuar edhe në kohën e sistemit paralel dhe të mos lihen anash. Sipas tij, nuk duhet që një polic i cili ka përjetuar keqtrajtime të ndryshme të dalë në pension për vetëm 70 euro.
“Bëhen 7 vite që flitet për pensionin e policëve. Është menduar që polici të dalë në pension me 200 euro. Është menduar që të shkohet me 65 vjet, por është kërkuar me 55 dhe me pagë bruto 60 për qind. Prapë kjo bie te 200 euro. Nuk kemi pranuar dhe tani është menduar që polici nëse del në pension para moshës 65 të marrë 60 për qind të rrogës neto”, ka thënë Tasholli.