Gazetari praktikantë llapjan i Agjensisë së Lajmeve KosovaPress, Eduard Haliti është penguar sot gjatë kryerjes së detyrës nga dy policë të Stacionit Policor të Podujevës, njofton Llapi.info.
Gazetari Haliti për Llapi.info tha se ai është shoqëruar në Stacionin Policor në Podujevë pasi që i është kërkuar që t’i fshijë xhirmet që ai i ka bërë gjatë arrestimit të një personit i cili mund të jetë vozitës i taksive ilegale në rajonin e Podujevës.
“Sot rreth ores 9:30 Policia e Kosovës përderisa ishte duke provuar t’a arrestojë një person i cili besohet se ishte shofer i një taksi ilegal, mu drejtua një polic i cili më tha të mos të xhiroja me telefon, por unë i tregova qe jam gazetar, më kërkoj ID kartën, ja dhash por pastaj erdhi edhe një tjetër polic i cili po ashtu më tha të mos xhiroja, thash pse mos me xhiru, më thanë se duhet me pas leje të veçantë për këtë”- tha Haliti për Llapi.info.
Mirëpo, sipas Halitit, policëve në fjalë nuk u ka mjaftuar ID kartela e gazetarit për të lejuar që gazetari të kryejë punën e tij pasi që përsëri ata kanë kërkuar nga ai që t’i fshijë ato xhirime.
“Unë ju thash çfarë leje duhet me pas, ai më tha hjeke telefonin ma kapi gishtin e madh të dorës së djathtë edhe dojke me ma marrë telefonin por unë nuk e lejova, pastaj ai u tha kolegëve të vetë që të më shoqërojnë për në stacion”- shtoi ndër të tjera Haliti.
Haliti bëri të ditur që ka paraqitur ankesë për policin në fjalë në Stacionin Policorë në Podujevë i cili sipas tij e ka penguar atë në kryerjen e detyrës.
Se Haliti ka paraqituar ankesë në Polici e ka konfirmuar edhe Zëdhënësja për Informim e Stacionit Policor në Podujevë, Antigona Çitaku- Dibrani, e cila për Llapi.info tha se gazetari Haliti ka paraqitur një ankesë për njërin nga policët në fjalë.
Sipas Çitaku- Dibranit, policia është përpjekur që të ndalojë një kacafytje që ka ndodhur mes disa personave gjatë grevës që po mbajnë sot shoferët e autobusëve të linjës Podujevë- Prishtinë. Kështu personi në fjalë ka qenë duke xhiruar dhe për t’a larguar nga kacafytja e kanë shoqëruar për në stacion mirëpo duke mos e ditur që ai është gazetar.
“Sipas raporteve të policisë, polici në detyrë nuk e ka ditur që personi në fjalë është gazetar, këtë ata e kanë marrë vesh pasi që janë larguar nga vendi i ngjarjes, kështu gazetari është shoqëruar në Stacion mirëpo nuk është ndaluar.”- tha ndër të tjera Çitaku-Dibrani për Llapi.info.
Çitaku- Dibrani bënë të ditur se pas shqyrtimit të ankesës së gazetarit do të vendoset për hapat e mëtutjeshëm./Llapi.info