Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se në kuadër të hetimeve ndaj G.G. të dyshuar për “Mashtrim”, Policia ka sekuestruar edhe 55 mijë euro para të gatshme dhe ka iniciuar rasti për “Shpëlarje parash”.

Hetimet janë në fazën finale.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik dhe të dëmtuarit në çështjen penale kundër të pandehurit G.G për veprën penale ‘’Mashtrimi’’ nga neni 323 par.4 se në vazhdën e hetimeve ndaj të pandehurit G.G., me datë 12.03.2025 në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka realizuar dy (2) kontrolle në Komunën e Gjakovës, me ç’rast ka sekuestruar edhe pesëdhjetë e pesë (55) mijë euro para të gatshme dhe njëkohësisht ka inicuar rast në lidhje me veprën penale ‘’Shpërlarja e parave’’ nga neni 56 i ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizimit. Rasti vazhdon të mbetet nën hetime dhe ndodhet në fazën finale.”

Lidhur me këtë rast, më 5 mars, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte njoftuar se ka marrë vendim për të ngrirë 166 parcela që gjenden në komunën e Novobërdës dhe Graçanicës dhe dy banesa në Prishtinë në vlerë mbi 1 milionë euro.