Policia e Kosovës, përmes një njoftimi për media, ka thënë se faqja e saj e re e lansuar për t’u informuar lidhur me numrin e gjobave të papaguara është e sigurt dhe në përputhje të plotë me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.

Ditë më parë u publikua moduli që u tregonte qytetarëve se sa gjoba i kanë të papaguara, ndërsa për t’i gjetur këto të dhëna qytetarët duhet të shkruajnë numrin personal, emrin dhe mbiemrin. Të dielën, disa ekspertë të teknologjisë shfaqën brengën se kjo uebfaqe ishte e pasigurt dhe se dikush mund të keqpërdorte të dhënat personale të përdoruesve.

“Në portalin (të cilin s’e di kush e ka zhvilluar Kosovopolice, për kontrollimin e dënimeve në komunikacion, nuk ka siguri në Transport Layer (shtresën e protokollit ku bëhet bartja e të dhënave) Të gjitha të dhënat barten si tekst dhe nuk enkriptohen. Me ekspozimin e këtyre të dhënave, mund të bëhesh viktimë e shumë keqpërdoruesve”, kishte shkruar Ermal Sadiku, njohës i teknologjisë, teksa sot ka shtuar se është shtuar siguria në faqe.

“Sa i përket shqetësimit rreth mbrojtjes së të dhënave personale ueb moduli për kontrollin e gjobave në trafik është në përputhje të plotë me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe të gjitha të dhënat që shfaqen janë të enkriptuara sipas standardeve për enkriptimin e të dhënave”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia po ashtu ka thënë se ekziston mundësia e shfaqjes së ndonjë mosevidentimi të pagesave në kohë optimale, të realizuara nga qytetarët.

Kjo është faqja e policisë për të shikuar sa gjoba të papaguara keni:

https://www.kosovopolice.com:85/login