Sefedin Meziu nga Morina e Skenderajt nënën e tij e njeh vetëm përmes kësaj fotografie.
Ende pa i bërë dy vjet, ai thotë se forcat paramilitare serbe ia vranë nënën dhe gjashtë anëtarë të tjerë të familjes.
Veç kësaj, gjatë luftës, familjes së tyre iu dogjën edhe shtëpitë.
Për krejt këto dëme të shkaktuara, ai bashkë me babanë e tij që nga viti 2008 nuk kanë lënë derë pa trokitur për të kërkuar dëmshpërblim.
Atij dhe shumë familjeve të tjera, Gjykata Supreme ua ka refuzuar padinë për kompensim që kishin bërë ndaj shtetit të Serbisë për dëmet e shkaktuara gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Këtë vendim familjet e dëmtuara e dorëzuan të premten në Gjykatën Kushtetuese për interpretim.
Neglizhenca e organeve të drejtësisë për ta zgjidhur këtë çështje dhe mosintervenimi i institucioneve shtetërore po ua bën edhe më të rëndë dhimbjen atyre.
Sa iu përket deklarimeve të zyrtarëve të lartë shtetërorë se marrëveshja finale me Serbinë do të jetë e dhimbshme për Kosovën, familjarët i kanë paralajmëruar liderët shtetërorë se nuk guxojnë që në emër të familjeve të tyre ta falin Serbinë për krimet e bëra në Kosovë.
Sipas tyre, nëse diçka e tillë ndodh, përmes peticioneve dhe protestave, do të kundërshtojnë, pasi, siç thonë, në atë rast do të shkeleshin të drejtat që u takojnë edhe me Kushtetutë.