Portali “Politika”, një nga gazetat e përditshme më me ndikim në Serbi, e njohur për orientimin e saj konservativ dhe nacionalist, dezinformoi se Prishtina dhe Sarajeva po përgatiten të sulmojnë Serbinë.
Portali Politika shkruan:
“Në muajt e fundit, Sarajeva dhe Prishtina i kanë rënë vazhdimisht daulleve të notave të luftës të shpikura nga dikush në Perëndim. Në vend të prosperitetit dhe bashkëpunimit për të gjithë rajonin, disa duan të veshin një uniformë kamuflazhi dhe në vend që të krijojnë vende pune, ata duan të sigurojnë vendin e tyre në histori duke ndërmarrë sulme ushtarake kundër serbëve dhe Serbisë. Ata ëndërrojnë ta zgjidhin çështjen serbe në mënyrën e tyre shoviniste dhe të shkaktojnë dhe të inicojnë një konflikt në të cilin NATO do të ndërhynte në mënyrë të pashmangshme, natyrisht, në anën e tyre. Mund të çojë në një konflikt mes Serbisë dhe disa prej vendeve më të fuqishme në botë, ky është skenari për të cilin foli presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dhe një skenar i tillë, pa urtësinë politike që ka treguar Beogradi, mund të çojë në fundin e Serbisë moderne.”
Analiza:
Duke iu referuar deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, portali Politika dezinformon se ekziston rreziku i ndërhyrjes së NATO-s në rast të një konflikti mes Serbisë dhe vendeve të tjera të rajonit.
Megjithatë, një analizë e kësaj deklarate zbulon mungesën e provave konkrete për të mbështetur pretendimet e bëra nga Politika. Nuk ka deklarata zyrtare nga Bosnje e Hercegovina dhe Kosova që konfirmojnë përdorimin e retorikës së luftës, as nuk ka ndonjë dëshmi se Perëndimi po komploton në mënyrë aktive skenarë lufte për Ballkanin. NATO gjithashtu nuk ka bërë deklarata për të mbështetur ndërhyrjen e mundshme në një konflikt të mundshëm.
Trajnimi i forcave të sigurisë është praktikë e zakonshme në shumë vende dhe nuk ka të bëjë vetëm me përgatitjen për një sulm. Aktivitete të tilla përfshijnë një gamë të gjerë trajnimesh dhe ushtrimesh që janë pjesë e praktikës bazë ushtarake.
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është krijuar për të ruajtur rendin, paqen dhe sigurinë në Kosovë, veçanërisht pas sulmit terrorist në Banjskë, kur një grup terroristësh serbë të udhëhequr nga Milan Radoçiq sulmuan Policinë e Kosovës.
Portali Politika ka injoruar procedurat standarde të stërvitjes ushtarake të përdorura në mbarë botën dhe ka akuzuar Kosovën se po përgatit një sulm ndaj Serbisë, edhe pse është Serbia ajo që armatoset vazhdimisht.
Politika gjithashtu manipulon fakte për të mbështetur narrativën e Serbisë si viktimë. Për shembull, pretendimet për trajnime ushtarake dhe ngritje ushtarake në BeH dhe Kosovë nuk mbështeten me prova dhe fakte konkrete.
Në anën tjetër, nuk ka deklarata zyrtare nga liderët e BeH-së dhe Kosovës, e as nuk ka ndonjë konfirmim se Sarajeva dhe Prishtina kanë përdorur retorikë luftarake kundër Serbisë në muajt e fundit, siç shkruan Politika.
/The Geopost