Cristiano Ronaldo nuk është ftuar nga Portugalia për ndeshjet kundër Polonisë dhe Skocisë në Ligën e Kombeve, shkaku i akuzave për dhunim që ia ka bërë një grua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ronaldo është akuzuar nga Kathryn Mayoroga, e cila ka thënë se ylli portugez e ka sulmuar seksualisht në Las Vegas gjatë vitit 2009. Lojtari i Juventusit i ka mohuar këto akuza.

33-vjeçari nuk u ftua as në ndeshjet e para të Ligës së Kombeve pasi trajneri Fernando Santos kishte thënë se Ronaldos i duhej kohë për t’u ambientuar në klubin italian.