Kandidati i Vetëvendosjes për Podujevë, Ajet Potera, në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka akuzuar kryetarin aktual të Podujevës, Agim Veliun për marrje haraçi për hapjen e një biznesi në këtë qytet.
Potera në KTV ka thënë se posedon emailat që ka shkëmbyer një biznesmen, emrin e të cilit nuk ka dashur ta bëjë publike, me kryetarin Veliu, i cili ka marrë 34 mijë euro nga ky biznesmen për të hapur një biznes në fshatin Llugë të Podujevës.
“Veliu k marrë 34 mijë euro nga një biznesmen në Llugë. Ky [biznesmeni] ia ka dhënë për t’ia mundësuar të hap biznesin, i cili nuk është hapur biznesi pasi i kanë bërë pengesa tjera”, ka akuzuar Potera.
“Unë posedoj emailat që i ka shkëmbyer, nënshkrimet që i kanë bërë përmes Agimit dhe fjalori që kanë përdorur biznesmeni dhe zyrtari i Veliut i kam të regjistruara”, ka shtuar ai.
Potera, kandidat i Vetëvendosjes në garën për kryetarë të Podujevës, në emisionin “Interaktiv” ka folur edhe për prioritetet e qeverisjes së tij.
Në rast se fiton zgjedhjet komunale të 22 tetorit, Potera ka thënë se do të bëjë shpërndarjen e duhur të mjekëve nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare në Podujevë.
“Shëndetësia është prioritet për Vetëvendosjen. Kemi mjekë të përgatitur por nuk është bërë shpërndarja e tyre siç duhet. Disa vjet është punuar në një spital të maternitetit që nuk ka kryer asnjë shërbim cilësor për qytetarët”, ka thënë Potera.
“Do të bëjmë një listë të barnave esenciale dhe duke e kthyer dinjitetin e mjekut dhe duke bërë rend dhe rregull qytetarët do të ndjehen mirë me shërbimin në këtë sektor”, ka shtuar ai.
Derisa ka prezantuar planprogramin e tij për Podujevën, Potera ka kritikuar qeverisjen e deritanishme të Agim Veliut nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Ai ka thënë se projekteve të Veliut asnjëherë nuk u është bërë e ditur kostoja e tyre.
“Asnjë projekt nuk e kemi parë se si duket ai projekt para se të fillojë, asnjëherë nuk kemi ditur koston dhe sa do të zgjasin punimet. Ka pasur projekte me baza partiake. Janë ndërprerë punimet nëpër rrugë nëse një lagje nuk e ka votuar Veliun. Një diskriminim i tillë do të ndalet. Ndryshimi ka filluar me Prishtinën dhe do të vazhdojë me komunat tjera të Kosovës”, ka thënë Potera, derisa ka shtuar se edhe Podujeva po kërkon një qeverisje të ngjashme si ajo e Shpend Ahmetit në kryeqytet.
“Podujeva po e kërkon një Shpend Ahmeti të dytë. Njerëzit po kërkojnë mirëqenie të cilën nuk e kanë gjetur deri më tani në Podujevë”, ka thënë Potera.
Do të ketë atmosferë miqësore për nxënësit. Edhe pse janë të kushtueshme, shkollat do të kenë kabinete të ndryshme. Buxheti duhet të mirëmenaxhohet, jo të keqpërdoret. Me mënyrën e kontrollit me bazë të auditimit të jashtëm do ta identifikojmë çdo shkelje edhe nëse ato bëhen nga drejtorët tanë. Kryetari i komunës është pozicion i thjeshtë. Ai duhet ti shërbejë qytetarëve, jo qytetarët t’i shërbejnë atij. Një kryetar i thjeshtë lëviz me biçikletë, ndërsa tek ne ai ka truprojë. Kjo duhet të marrë fund.