Shumë rrugë në Komunën e Podujevës gjatë këtij viti janë meremetuar, derisa vende-vende ka pasur edhe largim të tërësishëm të asfaltit, njofton Llapi.info.
Punimet ka pasur në pjesë të ndryshme të qytetit, në thellësi të tokës nga Komuna e Podujevës, KEDS-i dhe ujësjellësi. Kjo kompani e fundit e ka “çoroditur” krejt rrugën kryesore të fshatit Balloc.
Sipas banorëve të cilët edhe kanë dërguar pamje në Llapi.info, kompania e ujësjellësit ka kohë që i ka nisur punimet e një gypi në këtë anë. Mirëpo, sipas banorëve, mos rregullimi i rrugës po e bënë të pamundur frekuentimin e rregullt të kësaj rruge, me ç’rast siç thonë ata po dëmtohen edhe veturat. Madje, kjo rrugë është prerë edhe në vende tjera dhe jo vetëm kësaj radhe.
Siç shihet edhe në fotografitë e dërguara, pjesa ku është prerë asfalti gjendet në mes të rrugës, gjë kjo e cila bën të pamundur kalimin e zakonshëm në këtë pjesë, e po ashtu rrit rrezikun për kalimtarë.
Duhet theksuar se në shumë rrugë të Podujevës ka pasur punime, madje në disa pjesë edhe është shkatërruar asfalti i shtruar rishtas./Llapi.info