Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës ka njoftuar se kryetari i saj Hysen Sogojeva është takuar me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, nga i cili takim kanë dalë disa rekomandime, lidhur me situatën e krijuar nga pandemia.OHT-ja ka theksuar se nga ky takim u premtua se hoteleria dhe gastronomia do të hapen më 18 prill, me orar deri 22:30 apo 23:00.
“Sigurisht që në këtë takim OHT ka qenë me kërkesa të qarta, me ç’rast është kërkuar hapje në tërësi për të gjitha subjektet hoteliere/turistike, duke përfshirë hotelierinë, gastronominë, pishinat, sallat e dasmave, dekoret etj”, thuhet në njoftimin e tyre në Facebook.Sipas këtij institucioni, për momentin, sektori i dasmave ka mbetur pezull, “dhe do të mund të funksionojnë vetëm sallat me ambient të jashtëm, ndërsa për sallat e mbyllura akoma nuk ka një kohë të cekur se kur mund të fillojnë, me gjasë mbetet deri të ndodh vaksinimi i 60% të popullsisë”.
“Oda e Hotelerisë dhe turizmit mbetet me shpresë në vaksinim sa më të shpejtë që të paktën gjatë sezonës së verës të funksionojnë të gjithë. Ndërkohë, së shpejti do të bëhet publike edhe Manuali i dhënë”, thuhet në njoftim.Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës marrë tash e një javë, ndalohet veprimtaria e qendrave të mbyllura tregtare përveç shërbimeve esenciale në kuadër të tyre siç janë marketet ushqimore dhe farmacitë nga data 7 prill deri më datë 18 prill.Ndërsa në qendrat e hapura tregtare lejohet aktiviteti duke i respektuar masat dhe rekomandimet për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID – 19.
Gjithashtu, sipas vendimit, shërbimet e gastronomisë obligohen të pezullojnë aktivitetin e tyre nga data 7 prill deri me datë 18 prill.“Të njëjtat ndalohen edhe në hapësirat e brendshme të shërbimeve gastronomike të marketeve, furrave të bukës, burektoreve, qebaptoreve, pikat e shitjes së karburanteve”, thuhet në vendim.