Prerja dhe bartja ilegale e druve është një dukuri mjaft e shpeshtë në vendin tonë, por jo gjithmonë zbulohen rastet dhe të dyshuarit bien në prangat e Policisë. Autoritetet në vend shpesh hasin edhe në rezistencë, e madje përballen edhe me sulme gjatë intervenimeve në raste të tilla, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu dyshohet se ka ndodhur të martën, në Strazh të Kamenicës, ku Policia e Kosovës është ballafaquar me disa persona të dyshuar, të cilët po bartnin dru me veturën e tyre xhip. Kjo siç duket është një metodë për të mos rënë në sy, pasi sipas informacioneve të para, automjeti ishte modifikuar që të mos dallohej.

Policia i zbuloi të dyshuarit gjatë patrullimit në këtë fshat dhe dha urdhër që të njëjtit të ndalen, por një gjë e tillë nuk ndodhi, pasi një person i cili ndodhej në veturën tjetër që po e “ruante” automjetin me dru, i pengoi dhe sulmoi zyrtarët policorë.

Në ato momente, shoferi i dyshuar ka vazhduar lëvizjen dhe ka arritur që të ikë nga vendi i ngjarjes, përkundër që Policia është vënë në ndjekje të tyre.

Në lidhje me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, me urdhër të së cilit është iniciuar rasti si “Sulm ndaj personit zyrtar”, derisa veprimet e tjera do të ndërmerren posa të kapet i dyshuari, i cili është emër i njohur për organet e rendit.