Në një shkrim për politikën e së djathtës ekstreme në Shtetet e Bashkuara dhe shtrirjen e saj në vendet e Ballkanit Perëndimor, Eric Gordy nga University College London, pohon të jetë zhvilluar një takim ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-strategut të presidentit amerikan, Steve Bannon.
Mes tjerash, zoti Gordy shkruan për BalkanInsight se Bannon është takuar edhe me kryeministren e Republikës Serbe të Bosnjës, Zhelka Cvijanoviq, dhe ministrin e Jashtëm serb, Ivica Daçiq.
Por, nga zyra e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi kanë thënë për Radio Evropa e Lirë se është lajm i rremë takimi Thaçi-Bannon.
“Jo, një takim i tillë asnjëherë nuk ka ndodhur”, ka qenë përgjigja e shkurtër e Zyrës për Informim e Presidentit të Kosovës.
Në korrik të këtij viti, Bannon shpalosi planet e tij për të krijuar një institucion joqeveritar me seli në Bruksel, me emrin ‘Lëvizja’, e cila për synim do të ketë mbështetjen e grupeve populiste në Evropë.