Ka përfunduar shqyrtimi kryesor në gjykimin ku punëtori Gzim Karraxhiu, ka paditur punëdhënësin e tij, Postën dhe Telekomin e Kosovë (PTK), me pretendimin se ajo ka marrë vendim më të cilin atij ia ka ulur gradën nga 12 në 9.
Me një vendim të tillë të PTK-së, Karraxhiu tash po pretendon se është dëmtuar mbi 30 mijë euro, me ç’rast këtë kompensim po e kërkon përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Në seancën e kësaj të enjte palët dhanë fjalët e tyre përfundimtare, me të cilën edhe përfundoi shqyrtimi i kësaj lënde për t’i lënë rrugë marrjes së vendimit nga gjykatësi Enver Shabanaj.
Përfaqësuesja e paditësit, avokatja Teuta Zhinipotoku në fjalën e saj përfundimtare, deklaroi se mbetët pranë kërkesëpadisë së ushtruar në gjykatë dhe në bazë të ekspertizës financiare të ekspertit Aziz Berisha, të 18 prillit 2018, sipas së cilës ekspertizë, Karaxhiu për shkak të ndryshimit të gradës është dëmtuar në paga, në fondin e kursimeve pensionale dhe në pagimin e tatimit në ATK, raporton “Betimi per Drejtesi”.
“Për shkak të degradimit në pagë të paditësit Gzim Karaxhiu kërkojmë pagesën e diferencës në paga nga 12 në 9, nga 1 shkurt 2012 e deri më hartimin e ekspertizës së 28 shkurt 2018, diferencën në pagë prej 26,989.87 euro që së bashku me kamatë duke filluar nga dita e paraqitjes së padisë 4 prill 2012 me kamatë 1,129.32 euro, që arrijnë vlerën e përgjithshme prej 28,119.19 euro dhe në emër të kontributit pensional 3, 156.71 euro, i cili duhet transferuar në Trustin Pensional në llogari të paditësit dhe tatimin në shumë prej 2,998.87 euro në këto paga duhet paguar ATK-së”, tha Zhinipotoku.
Ajo e përfundoi fjalën e saj duke kërkuar nga gjykata ta aprovojë kërkesëpadinë e paditësit në tërësi.
Ndryshe, nga Zhinipotoku u shpreh përfaqësuesi i PTK-së, Haredin Islami, i cili në fjalën e tij përfundimtare, padinë e cilësoi pabazë ligjore dhe kërkoi që gjykata të nxjerr aktgjykim refuzues.
Ai po ashtu theksoi se e kundërshton edhe ekspertizën financiare të ekspertit, Aziz Berisha, për të cilën tha se mendon se nuk është dashur të behet fare për faktin se sipas tij, padia nuk ka bazë ligjore.
Ndryshe, sipas padisë së 4 prillit 2012, tash palët ndërgjyqëse kanë lidhur kontratë më 20 tetor 2011, në të cilën paditësi për punën e kryer do të kompensohej me pagë të përcaktuar nga grada 12.
Në padi thuhet se më një vendim të burimeve njerëzore të Postës së 27 marsit 2012, paditësit i caktohet grada 9 dhe në këtë mënyrë është dëmtuar në çdo muaj me 225.00 euro të pagës , duke filluar nga shkurti i vitit 2012 dhe për shkak të zvogëlimit të lartësisë së kontributit në Trustin Pensional në shumën prej 22.50 euro për çdo muaj.
Për këtë vendim të PTK-së, paditësi ka ushtruar ankesë në PTK, por që siç thuhet në padi, ka mbetur pa përgjigje dhe pas kësaj i është drejtuar gjykatës.