Në ditët apo në javët në vazhdim pritet të fillojnë gërmimet në katër lokacione në Kosovë, në të cilat dyshohet se ka varreza masive. Ndërkohë që në listën e të pagjeturve ende figurojnë 1.652 persona, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Së shpejti pritet të rinisin gërmimet në katër lokacione të dyshuara për trupa njerëzish të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Këto gërmime do të bëhen në fshatrat Lupç dhe Majac të komunës së Podujevës, në lagjen “Tusuz” të Prizrenit dhe në një lokacion në zonën industriale në Gjakovë.
Në këto lokacione gërmimet patën filluar në fund të vitit të kaluar, por janë ndërprerë për shkak të kushteve klimatike. Këtë e ka konfirmuar për gazetën “Zëri” kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenk Gjetaj.
Ndërkohë familjarët e të pagjeturve kërkojnë angazhim më të madh të Qeverisë për zbardhjen e fatit të 1652 personave që ende mungojnë.
Së shpejti fillojnë gërmimet për të pagjeturit
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenk Gjetaj, ka thënë se së shpejti do të fillohet me gërmime në disa lokacione për gjetjen e personave të zhdukur.
“Gërmimet vlerësuese ndërpriten vetëm atëherë kur kushtet klimatike janë pengesë, kryesisht në sezonin dimëror. Së shpejti do të vazhdohet me lokacionet e papërfunduara apo të bartura nga viti i kaluar, si lokacioni në ‘Tusuz’ (Prizren), lokacioni në Gjakovë, lokacioni në Lupç (regjionin e Prishtinës), si dhe do të iniciohen për gërmim lokacionet e reja për të cilat tashmë janë siguruar urdhëresat nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.
Sipas tij, numri më i madh i të zhdukurve i takon moshës 19 deri në 64-vjeçare. “Aktualisht janë edhe 1.652 persona të zhdukur si pasojë e luftës së viteve 1998 – 1999,
nga të cilët 1.388 persona janë të gjinisë mashkullore, ndërsa 264 persona të gjinisë femërore. Sa i përket moshës janë 135 persona të zhdukur nën moshën 18-vjeçare dhe 332 persona mbi moshën 65-vjeçare, ndërsa të moshës 19 dhe 64-vjeçare i takojnë 1.185 persona të zhdukur”, ka thënë ai.
Gjetaj konsideron se është punuar në zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur, pasi më shumë se 6.000 persona që nga lufta kishin figuruar si të zhdukur.
Sipas tij, nevojitet mbështetja e bashkësisë ndërkombëtare në mënyrë që Serbia të tregohet më bashkëpunuese në këtë çështje.
“Si Komision Qeveritar për Persona të Zhdukur mbesim me kërkesën për bashkësinë ndërkombëtare që të shtrojë trysninë ndaj institucioneve të Serbisë për të qenë më bashkëpunuese në këtë proces, në veçanti përmes hapjes së arkivave të ish-ushtrisë jugosllave”, ka thënë ai.
Makolli: Serbia di vendndodhjen e të pagjeturve, por nuk jep informata
Ibrahim Makolli, kryetar i delegacionit të Kosovës për bisedime me Serbinë për çështjen e personave të zhdukur, ka thënë për “Zërin” se Serbia di vendndodhjen e të pagjeturve, porse ky shtet nuk jep informacione të sakta.
“Është thënë me të drejtë shumë herë se adresa e saktë e cila ka njohuri për vendndodhjen e të pagjeturve është Serbia, porse për fat të keq nuk ka treguar gatishmëri për dhënie të informatave të sakta. Kur ka pasur trysni nga bashkësia ndërkombëtare ajo është detyruar t’i zbulojë varrezat në vende të ndryshme të Serbisë me trupat e të vrarëve e të masakruarve shqiptarë”, ka thënë ai.
Sipas tij, derisa ka ende të zhdukur mund të thuhet se nuk është bërë mjaftueshëm rreth kësaj çështjeje.
“Fakti që edhe pas gati 20 vjetësh të përfundimit të luftës numërohen 1.652 të zhdukur është treguesi më i mirë se sado që është bërë në drejtim të zbardhjes së fatit të të pagjeturve kjo akoma mbetet plagë e gjallë, e cila kërkon angazhim të shtuar për të mësuar të vërtetën. Sado që është bërë deri më tash, numri i të pagjeturve në përfundim të luftës ka qenë mbi 6.000 dhe përderisa nuk zbardhet edhe fati i personit të fundit nuk mund të thuhet se kemi bërë mjaft”, ka thënë ai.
Makolli ka treguar se Kosova ka kërkuar mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare për t’i bërë trysni Serbisë në lidhje me dhënien e informatave për të pagjeturit.
“Në kuadër të Grupit Punues për të Zhdukurit, nën drejtimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq të dyja delegacionet shkëmbejnë informata për ngjarjet në kohën e luftës, përmes të cilave në periudha të ndryshme është arritur që të gjenden trupa të të vrarëve, qoftë në territorin e Kosovës apo edhe të Serbisë. Serbia akoma nuk është treguar e gatshme për hapjen e arkivave ushtarake, në të cilat besojmë se ka të dhëna për pjesën dërrmuese të të pagjeturve. Në këtë drejtim kemi kërkuar edhe mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare për një trysni më të madhe ndaj Serbisë”, ka theksuar ai.
Familjarët e të pagjeturve: Po jetojmë me shpresë
Nysrete Kumnova, nga shoqata “Thirrjet e Nënave”, e cila tashmë 19 vjet po pret për gjetjen e eshtrave të djalit të saj, ka thënë për “Zërin” se është neglizhencë e institucioneve të vendit që nuk po i bëjnë trysni Serbisë për t’i kthyer disa trupa në Kosovë.
“Ne si familjarë nuk jemi të kënaqur sepse kanë kaluar 19 vjet dhe ende nuk po dihet për 1.600 persona të pagjetur. Këtu po mungon edhe qasja në Serbi sepse atje ende ka varreza masive. Ende nuk e ka parë të arsyeshme qeveria e Serbisë t’i kthejë eshtrat në Kosovë. Këtu është neglizhenca e institucioneve të Kosovës, e Qeverisë së Kosovës që nuk po bëjnë më shumë për t’i dhënë shtytje pushtetit të Serbisë që t’i kthejë ato trupa në Kosovë”, ka thënë ajo.
Kumnova ka deklaruar se ka edhe mbetje mortore që kanë mbetur në morg dhe për shkak se disa familje nuk kanë dhënë gjak për identifikim nuk dihet se kujt i përkasin.
“E kam mësuar nëpërmjet medieve që këshilltari i kryeministrit Jahja Lluka është duke vepruar, është duke u marrë intensivisht për t’i identifikuar mbetjet mortore që janë në morg. Është e vërtetë që ka edhe mbetje të huaja, por po dua t’i bëjë të qarta edhe këto mbetjet që i përkasin kohës së luftës të cilat ne i kërkojmë sepse ka edhe familje që ende nuk i merr ato mbetje mortore dhe i kanë lënë në morg, por ka edhe shumë familje që nuk kanë dhënë gjak e nuk përputhen mostrat e eshtrave”, ka thënë ajo.
Sipas saj, familjarët e të pagjeturve janë duke jetuar me shpresa që një ditë të gjejnë mbetjet e familjarëve të tyre.
“Edhe unë jam një nënë që po pres. Mendoj që është një shpresë më e madhe se nëse mund t’i bindin ato familje të cilat nuk kanë dhënë gjak që u përkasin ato mbetje mortore ndoshta mund të dalin edhe raste të reja dhe të identifikohen edhe të tjerat. Po shpresoj që është duke u munduar të bëjë një punë të mirë për të pasur rezultat dhe mbesim të shohim. Edhe ne po jetojmë me shpresa”, ka shtuar ajo.