Kanë filluar të tubohen qytetarët në shumë Komuna të Kosovës, pasi që Qeveria ka marrë vendim që pensionet t’i lëshojë para kohe, shkruan Llapi.info.
Por, thirrjeve për t’i shmangur pritjet, tubimet e distancat duket se sot qytetarët nuk iu bindën.
Edhe në Podujevë sot ka pasur grumbuj në pikën zyrtare të Postës së Kosovës. Në fotografinë e dërguar nga lexuesit e Llapi.info, shihet se qytetarët s’u përmbahen thirrjeve as për distancë.
Sot, kanë dalë pensionet dhe ndihmat sociale, 10 ditë para kohe. Njoftimin e kishte bërë ditë më parë kryeministri Albin Kurti, duke theksuar se ato dalin 10 ditë para kohe dhe atë për dy muaj.
Sipas tij, pagesa e muajit të dytë nuk do të hyjë në përllogaritjet e muajve në vijim, që do të thotë, u falet përfituesve.
Ministria e Financave dhe Transfereve dje përmes një njoftimi ka lutur përfituesit që për të ruajtur shëndetin të kenë kujdes të shtuar dhe ndjekin këto udhëzime shtesë:
JU LUTEMI: që tërheqjen e mjeteve ta bëni në vijimësi dhe në kohë kur nuk ka shumë vizita apo lëvizje, në mënyrë që të parandalohet shpërndarja e ‘corona virusit’.
JU LUTEMI: shtyni tërheqjen në ditët në vijim, pasi që zyrat postare dhe degët bankare janë të gatshme t’i përgjigjen secilit prej juve, dhe secili do të ketë mundësi të bëjë tërheqjen e mjeteve./Llapi.info