Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbajë sot tryezën e përbashkët me partitë politike, në të cilën do të diskutohet për temat e mëdha nacionale, si dhe për dakordimin në një datë të re për zgjedhje të parakohshme në vend.
E përderisa pritet që shumica e partive politike të marrin pjesë në këtë diskutim, PDK-ja dhe Vetëvendosja ende nuk kanë bërë të qarta qëndrimet e tyre, shkruan lajmi.net.
Në anën tjetër, nga partia organizuese e kësaj tryeze, LDK-ja presin që sot të diskutohet dhe të dilet, me siç thonë ata, me një zgjidhje për krizën në Kosovë.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë për lajmi.net se sot pritet të diskutohet për idetë e të gjithëve se si të dilet nga kriza, dhe në bazë të konsultimeve të brendshme të partive politike të dilet edhe me një datë të re për zgjedhje.
“Sot do të diskutojmë idetë se si të dilet nga kriza, dhe gjithsesi kjo është çështje e konsultimeve të brendshme që pas një kohe duhet me rezultu me një konkluzion të përbashkët që të kemi edhe një datë të zgjedhjeve”, deklaroi Gashi.
Ai shtoi se nuk presin që në ditën e parë të caktohet një datë për zgjedhje, pasi që sipas tij, ata duhet të pajtohen për parimet politike së pari, nga të cilat parime Kosova do të ecë në muajtë e ardhshëm.
“Është jo serioze të thuhet që në ditën e parë të bisedimeve të caktohet data e zgjedhjeve, partitë politike duhet të ulen në tavolinë, të pajtohen për parimet politike në të cilat Kosova do të ecë muajt e ardhshëm, dhe nga këto parime pastaj dihet edhe rezultati”, ka deklaruar Gashi për lajmi.net.
Ndryshe, partneri kryesor i koalicionit qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës, nuk është deklaruar ende për këtë tryezë.