Paralelet e parapara për nxënësit që synojnë të regjistrohen nëpër shkolla të mesme janë të pamjaftueshme për sistemimin e tyre.

Vetëm në Shkollën e Mesme Ekonomike, rreth 200 nxënës janë të paregjistruar e që kanë bërë kërkesë për regjistrim në këtë shkollë.

Drejtori i kësaj shkolle, Fehmi Zeqiri, për llapi.info ka treguar se janë 15 paralele me nga 32 nxënës të klasëve të 10-ta, por ato janë të pamjaftueshme, sepse fluksi i nxënësve të paregjistruar është i madh.

“Dy nga këta klasë janë formuar si shëtitore që mbajnë mësim nëpër klasë të lira në shkollë, pra nuk kanë një klasë fikëse, sepse në shkollë ka kushte për vetëm 13 paralele” ka thënë Zeqiri.

Drejtori i kësaj shkolle më tej ka thënë se janë dy kategori të nxënësve që nuk janë regjistruar.

“Ka një numër të madh të nxënësve me sukses të shkelqyeshëm të cilët në afat të parë kanë aplikuar nëpër shkolla në Prishtinë, por pasi ata nuk i kanë pranuar, ata tash kanë mbetur të paregjistruar, ndërsa të tjerët janë nxënës me sukses më të dobët” ka deklaruar Drejtori i kësaj shkolle, Fehmi Zeqiri.

Ai ka thënë se po bëjnë përpjekje në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit, ku javën e ardhshme do të mbajnë një takim qe të vendoset për këta nxënës./Llapi.info