Në vitin 2023, më shumë fëmijë u regjistruan në shkolla, sesa në 20 vjet. Në të njëjtën kohë, mungojnë mësuesit. Sistemi arsimor gjendet para kolapsit.

Rebeka është mësuese dhe ka më shumë se tridhjetë vjet. Ajo jep anglisht dhe histori në një shkollë të mesme pranë Hamburgut. Gjithnjë e më shpesh jep vetëm anglisht, sepse nuk ka mësues të tjerë specialistë. Anglishtja ka përparësi ndaj historisë.

“Ne kemi vazhdimisht mungesë të stafit. Nuk ka më mësues zëvendësues të përkohshëm në tregun e punës,” thotë Rebecca, emri i vërtetë është ndryshuar, sepse ajo dëshiron të mbetet anonim. “Menaxhmenti i shkollës nuk mund të gjejë staf për pozita të hapura, e kolegët shpesh janë në pushim mjekësor për javë ose muaj, për shkak të ngarkesave të mëdha”.

Rezultati: disa lëndë eliminohen përkohësisht. Disa shkolla tani më kanë vendosur një javë katërditore për nxënësit. Dhjetëra mijëra mësuesmungojnë në të gjithë vendin. Por askush nuk e di saktësisht se sa janë. Në Gjermaninë federale, arsimi është përgjegjësi e 16 landeve. Mes tyre ka dhe disa dallime, duke përfshirë edhe angazhimin e mësuesve, që i bën të vështira edhe llogaritjet e kapaciteteve.

Një shembull: në një shkollë të mesme në Saksoninë e Ulët, 23,5 orë mësimore në javë korrespondojnë me një pozicion me orar të plotë pune, ndërsa në Schleswig-Holstein është 25 orë. Në shkollat ​​fillore duhet të mësohen dukshëm më shumë orë mësimore sesa në shkollat ​​e mesme apo shkollat e tjera, sepse përgatitja dhe vijimi i mësimeve janë më komplekse atje.

Rregullat e ndryshme

Konferenca e Ministrave të Arsimit dhe Çështjeve Kulturore, organi në të cilin ministrat e arsimit koordinojnë çështjet relevante kombëtare, aktualisht supozon se ka rreth 14.000 vende të paplotësuara të mësuese me orar të plotë. Nga viti 2025 e më pas, supozohet do të ketë nevojë shtesë për 21.000 mësues. Mendohet se këto kapacitete do të jenë të nevojshme deri në vitin 2035.

Ekonomistët, shkencëtarët, por edhe Sindikata e Arsimit dhe Shkencës (GEW) e konsiderojnë këtë si tepër optimiste. “Hendeku midis kërkesës dhe ofertës së mësuesve do të rritet në 56.000 vende me orar të plotë deri në vitin 2035,” tha për DW sindikalistja Anja Bensinger-Stolze.

Sipas Zyrës Federale të Statistikave, 830.600 nxënës të klasës së parë u regjistruan në shkollë në vitin 2023, që është numër rekord në 20 vjetët e fundit. Në dhjetë vitet e ardhshme, numri i fëmijëve dhe të rinjve që ndjekin shkollën pritet të rritet nga njëmbëdhjetë në dymbëdhjetë milionë.

Rritja është pjesërisht për shkak të natalitetit më të lartë, por mbi të gjitha për shkak të rritjes së emigracionit në Gjermani. Në fund të vitit 2022, në mbarë vendin kishte katër për qind më shumë fëmijë të moshës pesë deri në shtatë vjeç sesa një vit më parë. Numri i fëmijëve gjermanë në këtë grupmoshë është pothuasje i njëjtë me një vit më parë. Por numri i fëmijëve me shtetësi të huaj është rritur me më shumë se 20 për qind.

Më shumë nxënës e më pak mësues

Situata po përkeqësohet sepse fëmijët e shkollave fillore do të kenë të drejtë ligjore për kujdes të plotë ditor nga viti 2026. GEW llogarit se numri i përgjithshëm i vendeve të paplotësuara në shkollat ​​gjermane mund të rritet deri në gjysmë milioni deri në vitin 2035.

Landet janë përgjegjëse për trajnimin e mësuesve dhe financimin e vendeve të studimit në kolegjet dhe universitetet e tyre. Por kualifikimet njihen në shkallë vendi. Kjo hapi mundësi kursimi për politikanët, shpjegon Bensinger-Stolze. “Pothuajse të gjitha landet kanë trajnuar më pak mësues për vite nga sa parashikohej.”

Për shkak të nevojave të mëdha, shkollat ​​tani po punësojnë gjithnjë e më shumë persona që nuk kanë përfunduar një diplomë për mësues, por vijnë nga profesione të tjera. Në të njëjtën kohë, numri i studentëve për mësues është në rënie për arsye demografike, si dhe për shkak se profesioni gjithnjë e më shumë duket më pak tërheqës.

Atraktiviteti dhe puna shtesë

Situata mund të përkeqësohet për shkak të mungesës së mësuesve. Kjo mund të çojë në zgjatjen e orarit të punës për mësuesit, në daljen më të vonshme në pension dhe eliminimin e punës me orar të shkurtuar.

Aktualisht, rreth 40 për qind e mësuesve punojnë me orar të reduktuar të punës. Edhe mësuesja Rebecca punon vetëm 23,5 orë mësimi në javë në vend të 25 orareve të zakonshme.

Kërkesat për migrim

Në përgjithësi, kushtet e punës janë përkeqësuar ndjeshëm vitet e fundit. Klasat janë bërë më të mëdha, e mësimet më komplekse. “Ne kemi më shumë studentë me origjinë të huaj që kanë nevojë për më shumë mbështetje, sepse nuk mund të marrin aq shumë mbështetje nga shtëpia”. Konfliktet me të rinjtë kërkojnë më shumë energji. “Nuk më bën përshtypje kur nxënësit me prejardhje myslimane më thonë se nuk më lejohet t’u them asgjë”, thotë Rebeka. “Por kjo lloj sjellje vjen edhe nga prindërit! Nërsa kolegët e rinj që sapo kanë filluar karrierën e tyre si mësues shpesh janë të mbingarkuar.”

Sipas sindikatës, numri i mësuesve që dyshojnë në zgjedhjen e karrierës si mësues është në rritje.

Sindikata ka paraqitur një plan prej 15 pikash për ta bërë sërish më tërheqës profesionin e mësuesit. Plani tingëllon si një kundërpropozim ndaj propozimeve të Konferencës së Ministrave të Arsimit dhe Çështjeve të Kulturës. Ka kërkesa për një reduktim të orarit të punës, për klasa më të vogla, për më shumë orë kompensuese, mbrojtje më të mirë shëndetësore dhe sisteme të ndihmës për mësuesit.

Kjo u referohet ekipeve në të cilat mësuesit punojnë së bashku, ndër të tjera, me edukatorë socialë, edukatorë dhe psikologë, por edhe me përkthyes dhe mësues të gjuhës amtare.

Imigrimi në profesionin e mësuesit

“Ne kemi kërkuar prej kohësh që njohja e kualifikimeve të mësuesve të fituara jashtë vendit të përmirësohet dhe të përshpejtohet,” thotë Anja Bensinger-Stolze, e cila ka për synim refugjatët ukrainas që deri tani kanë pasur pak shanse në shkollat ​​gjermane. “Nëse mësuesit kanë vetëm një lëndë për të dhënë mësim – kjo është normë jashtë vendit – ky nuk duhet të jetë ndonjë kriter përjashtimi.”

Në përgjithësi, sindikata ofron pak shpresë se situata në shkolla mund të ndryshohet shpejt. Përgjegjësit për këtë çështje nuk janë kujdesur sa duhet për situatën dhe për rregullimin e gjendjes në shtigje afatgjata./DW