Procesi i vaksinimit po vazhdon edhe gjatë të shtunës në sallën “1 Tetori”, këtë herë pa asnjë tollovi të krijuar nga qytetarët, raporton Ekonomia Online.

Policia e Kosovës dhe stafi organizativ i kësaj qendre të vaksinimit nga orët e hershme të mëngjesit po presin të moshuarit për t’u vaksinuar.

Për t’i ikur grumbullimit të njerëzve, Ministria e Shëndetësisë njoftoi të premten se vaksinimi kundër Coronavirusit do të vazhdojë për të moshurit mbi moshën 65 vjeç edhe në fundjavë, por duke theksuar se do të vaksinohen vetëm ata qytetarë që kontaktohen nga MSh-ja.

“Në qendrën e vaksinimit në Prishtinë – salla ‘1 Tetori’ – do të vaksinohen qytetarët, të cilët sot gjatë ditës janë kontaktuar nga Ministria e Shëndetësisë, sipas aplikimit të tyre në platformën e vaksinimit kundër COVID-19, e-Kosova, dhe sipas terminit të caktuar”, thuhet në njoftim.

Sipas të njëjtit, vaksinimi edhe në komunat e tjera do të bëhet sipas ftesave të marra dhe termineve të caktuara për qytetarët nga njësitë e vaksinimit.

Mëngjesin e së premtes, Policia e Kosovës u desh të ndërhyjë për të vënë rend pranë sallës “1 Tetori” në Prishtinë, ku ishin mbledhur një numër i madh qytetarësh për t’u vaksinuar kundër Coronavirusit.

Tollovia nxiti edhe reagimin e partive opozitare në Kosovë, të cilat e akuzuan Qeverinë për dështim në menaxhimin e vaksinimit.