Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në zyrën e tij shokët e kohës së studimeve dhe profesorët e tij, në ditën e tretë nga kur e ka marr mandatin për udhëheqjen e ekzekutivit.

Ai përmes një fotografie dhe shkrimi në rrjetin spcial Facebook, ka thënë se me shokët dhe profesorët kanë kaluar shumë sfida.

“Me ta kemi kaluar shumë sfida. Prej vështirësisë së literaturës për studime e provime, deri tek organizimi i protestës së 1 Tetorit 1997 dhe të tjerave më pas. Kemi ndarë shumë gjëra bashkë, kurse sot kemi një dëshirë të përbashkët: zhvillimin dhe forcimin e vendit tonë”, ka shkruar Kurti.

Ndër të pranishmit ishin: Bujar Dugolli, Muhamet Mavraj, Driton Lajçi, Ahmet Geca, Hajrullah Koliqi, Milot Cakaj, Mihane Salihu, Jeton Rexha, Naim Havolli, Ernest Luma e Fatban Bunjaku, të cilët uruan Kurtin për detyrën që ka marr.

“Janë 342 profesorë e studentë të cilët janë dëshmorë e martirë të luftës së fundit çlrimitare. Profesori Hajrullah Koliqi propozoi një Lapidar i cili do t’i nderonte ata.Si Kryeministër i Republikës së Kosovës do t’i marrë hapat e nevojshëm që kjo kërkesë të jetësohet në këtë vit.

Në këtë muaj, me 15 shkurt, Universiteti i Prishtinës (UP) shënon 50 vjetorin e themelimit. Aktivitetet e UP-së janë paraparë nga 10 shkurti deri me 15 shkurt. Brenda këtyre pesë ditëve, çdo ditë do të jetë e mbushur me aktivitete që të nderohet ky institucion i cili i dha shumë vendit, por që potenciali i tij është edhe më i madh se tani. E, ky institucion nuk do të ishte i tillë pa pjesëmarrjen e rektorit, Prof.Ejup Statovcit. Në këtë vit, më 16 prill, prof.Statovcit do t’i shënohet 80 vjetori i lindjes e ne si institucion e kemi për obligim që ta nderojmë ashtu siç ai e meriton. Kur tek ne shihet diçka e mirë nuk është meritë e jona sa është meritë e prof.Statovcit. Urtësia e mësimet e tij të shumta na udhëzojnë ende në vështirësitë tona që nuk janë të pakta.

Dija e mësimi edukativ do të jenë prioritet i Qeverisë sonë. Leximi e shkenca në njëren anë duhet të thellohen por edhe të kompletohen me kulturën e artin në anën tjetër”, ka shkruar kryeministri Kurti në Facebook.