Këshilltari nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, Fitim Muçolli, ka thënë se tre profesorë në Shkollën Ekonomike “Isa Boletini” në Podujevë e kanë lënë punën, transmeton Llapi.info
E, krejt kjo, sipas Muçollit, ka ardhur si rezultat i mos dhënies së pagës. Sipas tij, mësimdhënësit në këtë shkollë në drejtimet “Infermieri e Përgjithshme” dhe “Mami” që kishin kontrata pune nuk janë paguar për më shumë se 7 muaj.
“Komuna e Podujevës është duke dërguar drejt shkatërrimit arsimin, shtyllën kryesore të shoqërisë. Se fundi tre profesorë në Shkollën e Mesme Ekonomike “Isa Boletini” kanë lënë vendet e tyre të punës pasi nuk janë paguar për punën e bërë që nga shtatori i 2018-es. Mësimdhënësit që kishin kontrata pune për dy paralelet e reja të hapura në vitin shkollor 2018-2019, “Infermieri e përgjithshme” dhe “Mami” nuk kanë marrë asnjë cent ani pse kanë ligjëruar për më shumë se 7 muaj”, ka shkruar Muçolli.
Sipas tij, tani e dy javë nxënësit në këto paralele kanë mbetur pa i vijuar ligjëratat e rregullta si pasojë e largimit të mësimdhënësve.
“E si pasojë e largimit të tre profesorëve, ka afër dy javë që nxënësit kanë mbetur pa ligjërim të lëndëve kryesore. Me hapjen e dy paralelëve profesionale, drejtori i Arsimit ishte krenuar mjaftueshëm por duket se ai ka mbetur mbrapa në kohë kur mësimdhënësit në Kosovë kanë punuar në mënyrë vullnetare”, ka përfunduar statusin ai./Llapi.info