Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës [SBASHK], për nder të Ditës së Mësuesit dje kanë organizuar një takim me mësimdhënësit pensionistë, njofton Llapi.info
Në këtë manifestim morën pjesë edhe përfaqësues nga Lugina e Preshevës, të cilët shtruan nevojën e domosdoshme për bashkëpunim të ndërsjellë me Kosovën, për të arriturat e mëtejme të vendit dhe gjithë shqiptarëve.
I pari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se muaji mars për shqiptarët shënon rrugëtimin drejt dritës dhe kundër errësirës, ku shqiptarët nëpër dekada me radhë sakrifikuan dhe luftuan për liri dhe për të mbrojtur gjuhën shqipe.
“Sa herë vjen marsi, njeriu spontanisht nisë e i thotë vargjet e këngës ‘sërish vjen marsi’ dhe me dhembje kujton ngjarjet që kanë ndodhur në këtë muaj, nëpër vite e dekada. Marsi shënoi nisjen e rrugëtimit të popullit për shkëputje nga robëria, marsi shënoi aktin më sublim të luftës dhe sakrificës të familjes Jashari. Marsi shënoi rrugëtimin drejt dritës e kundër errësirës”, ka shtuar Jashari në një fjalim rasti.
Me këtë rast, krejt në fund, u ndanë mirënjohje për përfaqësues të secilës Komunë dhe të universiteteve. Ndërsa, nga Komuna e Podujevës u shpërblye profesori i Lëndës së Fizikës, Bajram Mehmeti./Llapi.info