Edhe pse ishte paralajmëruar që dratfligji për FSK-në do të dërgohet në Qeveri deri më 30 prill (sot), një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Të paktën Qeveria e Kosovës sot gjatë ditës nuk e ka marrë këtë projektligj që do të duhej të dërgohej nga Ministria e FSK-së.
Halil Matoshi këshilltar i kryeministrit Haradinaj, ka thënë për lajmi.net se deri më tani qeveria nuk e ka pranuar këtë projektligj.
“Jo në qeveri ende nuk ka ardhur. Për detaje tjera drejtohuni te ministria e FSK-së”, ka thënë Matoshi.
Zyra për media e Ministrisë së Forcës dhe Sigurisë së Kosovës ditë më parë kishte bërë të ditur se janë në pritje vetëm të kostos buxhetore nga Ministria e Financave.
“Aktualisht jemi në pritje të deklaratës financiare për koston buxhetore nga Ministria e Financave, si dhe pëlqimin nga Ministria e Integrimeve Evropiane në mënyrë që draftligjet të jenë të harmonizuara me legjislacionin e BE-së. Ne në përputhje me Strategjinë Legjislative të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të Planit Veprues të MFSK-së, deri më 30 prill do ta dërgojmë Draftligjin në Qeveri”, kishte thënë Ibrahim Shala, drejtor i Departamentit për Marrëdhënie me Publikun në MFSK.
Çështja e krijimit të Ushtrisë së Kosovës ka mbetur pezull tash e disa vite.
Kjo pasi për tu formuar me ndryshime kushtetuese duhen votat e Listës Serbe, e që këta të fundit janë kategorikisht kundër.
Formimi i Ushtrisë ka qenë edhe një nga premtimet e kryeministrit Haradinaj gjatë fushatës zgjedhore. /Lajmi.net/