SBASHK-u ka kërkuar korrigjimin e projektligjit për paga, në mënyrë që punëtorët e arsimit e kulturës të kenë vend meritor, duke paralajmëruar se në të kundërtën veprimet sindikale do të përshkallëzohen pa përjashtuar edhe grevën e përgjithshme në arsim e kulturë.
Në një deklaratë për media, SBASHK kritikon MASHT dhe drejtoritë komunale të arsimit për heshtjen e tyre rreth projektligjit për pagat dhe njëherësh iu bën thirrje që t’iu bashkohen kërkesave të kësaj sindikate për zgjidhjen e problemeve në sektorin e arsimit përmes dialogut.
“Ata më shumë pëlqejnë heshtjen dhe të bërit sehir kur SBASHK-u zhvillon angazhime dhe paralajmëron për veprime sindikale e pastaj dalin dhe shprehen se kërkesat e SBASHK-ut janë legjitime, por se MASHT e DKA-të janë kundër grevave. Një deklarim të njëjtë e kanë edhe Këshilli i prindërve dhe një pjesë e shoqërisë civile, që kërkojnë nga SBASHK të mos shkohet në greva, por të zgjidhen mundësi tjera për të cilat do ta kenë përkrahjen”, thuhet në deklaratë.
“SBASHK-u provoi të shtunën që duke mos humbur as edhe një sekondë të mësimit të shpreh kundërshtimin ndaj projektligjit për pagat që është degradues e nënçmues për punëtorët e arsimit e kulturës dhe iu drejtua publikisht Kryeministrit dhe Qeverisë që Qeveria të hënën heshti ndaj kërkesave që SBASHK-ut i ngriti në protestën e së shtunës , por nuk e thanë një fjalë e as nuk e bën më të voglin angazhim as MASHT, as DKA-të e as Këshilli i Prindërve”, thuhet më tej në deklaratë .
SBASHK-u paralajmëron se do të ndërmarrë veprime të tjera sindikale e që nënkuptojnë edhe grevën e përgjithshme që do të paralizojë tërë sistemin arsimor dhe atë të kulturës.