SBASHK-u dhe Federatae Sindikatave të Shëndetësisë janë përplasur lidhur me Projektligjin për punëtorët e arsimit shqip të viteve të 90-ta.
Ishte Sindikata e Arsimit ajo që para dy ditësh përmes një komunikate akuzoi Federatën e Sindikatave të Shëndetësisë, konkretisht kryetarin Blerim Syla, se po kërcënon deputetët dhe Qeverinë nëse ky Projektligj miratohet në lexim të dytë, shkruan lajmi.net.
“Blerim Syla në emër të Federatës sindikale të shëndetësisë dhe Ndue Kalaj në emër të sindikatës së administratës publike kanë shkuar edhe më larg kundër këtij Projektligji dhe u kanë dërguar shkresa Qeverisë dhe Deputetëve me kërcënimin se do të ngritin padi ndaj tyre në gjykata po u bë ky Projektligj për pishtarët të dijes”, thuhej në komunikatën e SBASHK-ut.
E i pari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, ka një version krejt tjetër lidhur me këtë çështje. Ai jep edhe arsyet e tij se pse është kundër aprovimit të vetëm një segmenti të skemës pensionale.
“Në 2014-tën është aprovu një ligj mbi skemat pensionale, dhe në atë ligj në mënyrë decidive thuhet: u njihet stazhi të gjithë punëtorëve të arsimit, shëndetësisë dhe të tjerëve për vitet 89-99, andaj nëse aprovohet vetëm për një segment, dhe përjashtohet shëndetësia, policia, punëtorët e kek-ut që kanë qenë, punëtorët e administratës atëherë është diskriminim dhe është anti-kushtetuese, unë këtë e kam thënë dhe nuk jam kundër ligjit, kam thënë se vetëm po diskriminohen kategoritë tjera”, tha Syla për lajmi.net.
Syla shton se qëndrimi i tij është lehtë i argumentueshëm dhe se ligji për skemat pensionale e njeh atë se çka ai thotë.
“Kjo është më se e qartë është e argumentueshme, ligji për skemat pensionale e njeh këtë, dhe nëse dojnë me e deviju dhe të bëjnë klientëlizëm politik dikush, kjo është muhabet krejt tjetër”, shtoi Syla.
Ai po ashtu akuzoi SBASHK-un se nuk po i bëjnë transparente dy dokumente dhe rekomandime të Organizatës Botërore të Punëtorëve dhe Avokatit të Popullit, rekomandime këto që sipas tij i japin plotësisht të drejtë ankesës së tij.
“..por a do ta qojmë ne në gjykatë, normalisht që do ta dërgojmë, sepse po jap edhe një argument tjetër, dy dokumente ata nuk po i bëjnë transparente, është qëndrimi i ILO-s apo Organizatës Botërore të Punëtorëve në lidhje me këtë, që e njeh këtë se çka po them unë, dhe është edhe rekomandimi i Avokatit të Popullit, dhe këta nëse kanë argumente të tjera më të fuqishme, atëherë le të dalin kundër meje”, deklaroi Syla.
Syla për lajmi.net bëri të ditur se u ka dërguar letër edhe Qeverisë, kryeparlamentarit dhe grupeve parlamentare, dhe sipas tij një gjë e tillë duhet të ndalet.
Ndryshe, kundër këtij ligji nuk ka dalë vetëm kjo Sindikatë, më herët edhe FMN-ja kishte paralajmëruar se ky Projektligj ka një kosto të rrezikshme për buxhetin e Kosovës./Lajmi.net/