Prokurori i cili po hetonte listat e fryera të veteranëve, Elez Blakaj, ka dhënë sot dorëheqje.
E pas dorëheqjes së tij, Kryeprokurori i Shtetit ka njoftuar se Blakaj ishte kërcënuar përmes rrjetit social, Facebook, mirëpo i njëjti nuk kishte pranuar mbrojtje të afërt, shkruan lajmi.net.
Mediat më herët gjatë ditës raportuar se nën llupën e prokurorit ishin plotë figura të profilit të lartë.
Madje sipas këtyre raportimeve, Blakaj kishte ngritur aktakuzë ndaj Agim Çekut, Shukri Bujës, Shkumbin Demaliajt, Qelë Gashit,, Ahmet Dakut, Rrustem Berisha, Faik Fazliut, Smajl Elezajt dhe Xhavit Jasharti.
Por, njëri nga të apostrofuarit e ka mohuar një gjë të tillë.
Ish-kryetari i Lipjanit, Shukri Buja, ka thënë për lajmi.net se një aktakuzë e tillë nuk ka ekzistuar .
Megjithatë, ai thotë se i gjithë Komisioni Qendror është marrë në pyetje nga prokuroria gjatë muajve të kaluar.
“Nuk ka pasë aktakuzë, komplet Komisioni Qendror është marrë në pyetje nga prokuroria, gjatë muajve të kaluar”, ka thënë Buja.
Megjithatë, Buja thotë se edhe pse ka qenë i thirrur, ka dhënë asnjë deklaratë.
Të njëjtit akuzohen se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.