Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën është dhënë fjala përfundimtare në rigjykimin e rastit “Veteranët”, ku prokurori special Valdet Gashi kërkoi nga Gjykata që të akuzuarit t’i shpallë fajtorë. Në anën tjetër, i akuzuari Agim Çeku tha se nga 80 mijë aplikacione, janë vërtetuar 46 mijë e 230.

Në këtë rast, për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzohen ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Sipas prokurorit Gashi, është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen, raporton “Betimi për Drejtësi”, transmeton Periskopi.

“Mbetem pranë aktakuzës për shkak të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sepse pas administrimit të të gjitha provave është vërtetuar dyshimi i bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprën penale sipas aktakuzës”, tha Gashi.

Prokurori theksoi se është vërtetuar që të akuzuarit, në cilësinë e anëtarëve të komsionit kishin tejkaluar kompetencat e tyre, duke i futur aplikuesit për pension të veteranëve luftëtarë, përkundër faktit që nuk i plotësonin kriteret për këtë kategori, por i plotësonin për kategori të tjera, duke ua mundësuar kështu atyre dhënien e pensioneve të kësaj kategorie.

Po ashtu, Gashi tha që është vërtetuar që të akuzuarit në cilësinë anëtarëve të komsionit, me dashje kanë vepruar në mënyrë të kundërligjshme të përshkruar si në aktakuzë duke iu dhënë përfitim pasuror aplikuesve, e duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit.

Si përfundim, prokurori kërkoi nga gjykata që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, si dhe që të bëhet anulimi i vendimeve sa i përket njohjes së statusit të veteranëve të cilët janë konstatuar që e përfitojnë këtë pension në mënyrë të kundërligjshme.

Kurse, mbrojtësi i Çekut, avokati Ramë Gashi, në fjalën përfundimtare tha që e kundërshton në tërësi akuzën e Prokurorisë.

Gashi tha se i qëndron pas fjalës përfundimtare të dhënë në gjykimin e kaluar, me arsyetimin se të gjitha shkresat dhe provat bindshëm shkojnë në favor të mbrojtjes së Çekut.

Avokati tha se pretendimet e Prokurorisë se i mbrojturi i tij si kryesuses i komisionit ka rritur numrin për dhjetëra e mijëra aplikuesve si pesëmarrës të UÇK-së janë të pavërtetuara dhe të paqëndrueshme.

Më këtë, avokati Gashi kërkoi që për shkak të mungesës së fakteve që i mbrojturi i tij ka kryer veprën për të cilën akuzohet, i njëjti të lirohet nga akuza.

Ndërsa, i akuzuari Çeku, në fjalën e tij përfundimtare tha që asnjë vendim nuk është marrë pa u konsultuar me kryeministrin e asaj kohe.

“E mbështes fjalën përfundimtsre të avokatit tim. Para se të marrim çdo vendim jemi konsultuar me dy kryeministra të asaj kohe. Asnjë vendim nuk e kemi marre pa a konsultuar, tha ai.

Lidhur me pretendimin e Prokurorisë për rritjen e numrit të statusit të veteranëve, ai theksoi që nga 80 mijë aplikacione, janë vërtetuar 46 mijë e 230.

“Nga 80 mijë aplikacione, janë vërtetuar 46 mijë e 230, do të thotë ka pasur një proces serioz. Me pas dashtë me rritë numrin, unë në atë mbledhje të komsionit nuk kisha thanë që numri na dul më i madh sesa e kemi pritur, por na doli më i vogël sesa që jena marrë vesh”, shtoi Çeku.

Më pas, Çeku tha që i qëndron pas fjalës përfundimatre të avokatit të tij.

Për shkak të përfundimit të orarit të punës, pjesa tjetër e mbrojtjes, fjalën përfundimtare do ta japë në seancën e radhës.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 16 prill 2021 të akuzuarit i kishte liruar nga akuza. Por, Gjykata e Apelit më 26 prill 2022 e ka kthyer në rigjykim këtë rast.

Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të akuzuarit duke keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, për kohën sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 88.769.217.04 euro.

Për këto akuza, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë aktgjykim lirues edhe më 19 janar 2021.

Aktgjykimi në këtë rast ishte përpiluar tre muaj më vonë, ku PSRK brenda 15 ditësh kishte pasur mundësi të ushtrojë ankesë ndaj këtij aktgjykimi.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën për këtë rast, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gusht të vitit 2019.

Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar që Gjykata Themelore në Prishtinë, të urdhërojë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19 mijë e 500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

Por, më 1 prill 2019, gjykata e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë.

Kurse pas seancave të mbajtura, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 janar 2021, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve në këtë rast.

Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë thuhet se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

Në këtë aktakuzë, janë përfshirë 12 persona, të cilët ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prin Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar gjykatës, që ta lëshonte masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteranë luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.

Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara ishte vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.

Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 88.769.217.04 euro.