Prokuroria Themelore e Gjakovës po vazhdon hetimet në rastin e Art Kurtit, ish-këshilltarit për rini, i Kryetarit të Gjakovës, Ardian Gjini.
Një javë pas, hetuesit kanë intervistuar gjashtë persona, në cilësinë e dëshmitarëve në lidhje me vrasjen e ish-aktorit të njohur, që sipas dyshimeve të para u cilësua si vetëvrasje.
Intervistimin e këtyre personave e ka konfirmuar për Gazetën Express kryeprokurori i Gjakovës, Ali Selimaj.
“Deri më tani nga ana e hetuesve janë intervistuar gjashtë persona si dëshmitar për rastin e Art Kurtit. Asnjëri prej tyre për momentin nuk është i dyshuar. Por ne vetëm i kemi dëgjuar deklaratat e tyre rreth çështjes së Artit. Ne jemi duke i vazhduar hetimet”, tha ai të mërkurën pasdite.
Në mesin e të intervistuarve është edhe personi që ia huazojë Art Kurtit veturën, brenda së cilës u gjet i vrarë me një plumb në kokë, të martën e javës së shkuar, në vendin e njohur si “Kodra e Zabelit” në fshatin Goden të Gjakovës.
“Pas autopsisë do të vazhdojmë me ekzaminime të tjera balistike, të armës si dhe plumbit që dyshohet se është përdor në rastin konkret”, ka shtuar tutje kryeprokurori gjakovar.