Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se pas konferencës së Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, ku ka demantuar lajmet për refuzimin e sigurimit të vaksinave kundër COVID-19.
Prokuroria ka njoftuar se ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore duke iniciuar rast të veprës penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik se, pas konferencës së mbajtur mbrëmë, nga Ministri i Shëndetësisë, z. Arben Vitija, lidhur me demantimin e lajmeve për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19, Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës, në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore në pajtim me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, duke iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, nga neni 426 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.“Prokurori i Shtetit, do të veprojë në secilin rast ku cenohet interesi publik dhe shëndeti i qytetarëve, konform autorizimeve të tij ligjore, prandaj ju sigurojmë se kushdo që tenton ta dëmtojë një proces kaq delikat dhe konfidencial, do të përgjigjet para organeve të drejtësisë”, thuhet tutje në njoftimin e Prokurorisë.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, mbrëmë ka reaguar pas lajmeve se ai nuk e ka nënshkruar kontratën me kompaninë Pfizer dhe BioNtech për sigurimin e vaksinave antiCOVID.
Ai ftoi Prokurorinë të nisë hetimet rreth kësaj çështjeje.