Maturantët e shkollës së mesme të Gjimnazit “Aleksandër Xhuvani” – në Podujevë, sot kanë protestuar në ambientet shkollore, shkruan Llapi.info.

Ata, përmes kësaj proteste, kanë kërkuar që t’u lejohet shkuarja në ekskursion – i cili kohë më parë ishte organizuar për në Shqipëri.

Madje, Llapi.info pati siguruar pamje nga kjo protestë nga kjo shkollë. Në lidhje me këtë, zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, i ka thënë portalit Llapi.info, se drejtori i Arsimit, Avni Fetahu do të mbajë  mbledhje me nxënës së shkollës “Aleksandër Xhuvani”.

“Drejtori i Arsimit në Komunën e Podujevës, Avni Fetahu, ka aranzhuar një takim me një grup të nxënësve të gjimnazit “Aleksandër Xhuvani”, me të cilët do të flasë për kërkesat e tyre. Pas përfundimit të këtij takimi dhe çfarëdo vendimi që do të merret – do t’iu mbajë të informuar”, ka thënë Zhitia.

Siç ka mësuar Llapi.info, përveç shkollës “Aleksandër Xhuvani” – edhe maturantët e shkollave ekonomike dhe teknike do të mbajnë protestë. Kështu thuhet edhe në një njoftim, të cilin e ka siguruar portali.

“Njoftohen të gjithë nxënësit e tri shkollave të mesme, Gjimnazit, Ekonomikut dhe Teknikës, se me datë 05.05.2022 do të mbahet protestë për shkuarjen në Shqipëri. Protesta mbahet në ora 08:00, secila para shkollës së vetë, pastaj nga ora 09:00 do të nisemi për te Komuna”, thuhet në njoftim, i cili po shpërndahet tek maturantët.

Shkuarjen në Shqipëri po e kërkojnë edhe nxënësit e shkollave tjera të komunave tjera. Por, me këtë nuk po pajtohet këshillat e prindërve, të cilët po kundërshtojnë një organizim të tillë për në Shqipëri./Llapi.info