Banorë të fshatit Dumnicë të Podujevës kanë protestuar sot përpara policëve të vendosur në hyrje të fshatit, duke kërkuar që ky fshat të hiqet nga karantina, raporton Llapi.info.

Banorët kanë protestuar që të hiqen nga karantina dhe të lirohet rruga Dumnicë – Podujevë, pasi që më nuk ka raste të konfirmuara me COVID-19.

Vendimi që Dumnica e Poshtme, Dumnica e Epërme dhe Llausha, të futen në karantinë është bërë me 15 mars, pasi një person fillimisht ishte konfirmuar me virusin korona. Personi i parë i prekur më këtë virus kishte ardhur nga Italia, ndërsa ditë më vonë u konfirmuan edhe dy familjarë të tij të prekur me koronavirus.

Se që tri fshatrat do të futen në izolim e pati konfirmuar për Llapi.info edhe nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari.

“Fillimisht ne kemi izoluar familjen dhe kemi futur në karantinë, pastaj Qeveria ka vendosur që i gjithë fshati Dumnicë (Dumnica e Poshtme, Dumnica e Epërme dhe Llausha) të futen në karantinë”, pati thënë Rudari.

Banorët e këtyre fshatrave vazhdimisht janë ankuar se nga karantina vetëm për krijohet panik. Ata janë ankuar se nuk po u lejohet të dalin edhe për raste emergjente.

Banorët e këtij fshati përdornin rrugë alternative për t’u furnizuar me barna dhe gjëra elementare, gjersa kanë fajësuar disa herë komunarët për mosndihmesë.

Duhet përkujtuar se edhe autoritetet komunale kanë kërkuar nga Qeveria që të tri fshatrat e Podujevës të hiqen nga karantina.

Deri më tani, në Kosovë ka shkuar në 125 numri i të prekurve me COVID-19, 10 prej tyre tashmë janë shëruar, ndërsa një person i moshës 85-vjeçare nga Dumnica ka ndërruar jetë, pasi i njëjti ishte konfirmuar me këtë virus./Llapi.info  

Më poshtë pamjet e siguruara nga Llapi.info: