Punëtorë shëndetësorë në Podujevë kanë protestuar sot përpara Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Gjykatës Themelore në Prishtinë – dega në Podujevë dhe objektit të Komunës, duke kërkuar lirimin dhe kthimin në punë të kolegut të tyre, Ibrahim Hoti, raporton Llapi.info.
Ata kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të pulmologut Hoti dhe kthimin e tij në punë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë Komunë.
“Deri në lirimin e dr Ibrahim Hotit. Nuk lëvizim nga kërkesa jonë”, ka shkruar Hasan Asllani në fotografinë e publikuar nga protesta.
Në lidhje me këtë rast ka reaguar edhe Oda e Mjekëve të Kosovës, e cila ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të mjekut Hoti deri në verifikimin e rastit. Përndryshe, OMK kërcënon se nëse nuk bëhet një gjë e tillë, do të ndërmerr masa sipas legjislacionit në fuqi.
OMK-ja vlerësoi se ndaj Hotit është bërë padrejtësi duke e suspenduar dhe duke e arrestuar, pa ju dhënë mundësia e sqarimit dhe pa zhvilluar hetime paraprake.
Kurse, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka kërkuar nga organet e rendit që ta lirojnë doktorin e arrestuar të enjten në Podujevë, pas një video incizimi të publikuar në rrjete sociale dhe në mediume.
Sipas një njoftimi për media, thuhet se është për të ardhur keq se si trajtohen mantelbardhët, të cilët siç thuhet në njoftim janë të lodhur nga puna e tyre.
“FSSHK-ja e indinjuar thellë pas arrestimit të mjekut të respektuar nga Podujeva Dr. Ibrahim Hoti kërkon nga organet e rendit që ta lirojnë të njëjtin nga ndalimi prej 48 orësh pas një video incizimi të publikuar në mediume. Është për të ardhur keq se si trajtohen në mënyrë më të keqe të mundshme mantelbardhët, të cilët tashmë janë të stërlodhur”, thuhet në njoftim., thuhet ndër të tjera në reagim.
Hoti është arrestuar të enjten mbrëma pasi ka refuzuar t’u japë ndihmë disa qytetarëve në QKMF-në e Podujevës./Llapi.info