Ka nisur një protestë në hapësirën përreth Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, ku sonte pritet të performojë Elvana Gjata në kuadër të një koncerti të organizuar nga Banka ProCredit.
Protestuesit duan që të mos lejohen fishekzjarrë sikurse që ka pasur në koncertin e organizuar një vit më parë, nga po kjo bankë në kampusin e Universitetit të Prishtinës.
Në protestë po marrin pjesë rreth 20 vetë, ndërsa në fotografitë që po qarkullojnë në rrjete sociale shihet se vendi po ruhet nga policët.
Aktivistë për të drejtat e njeriut kanë thënë se kanë kërkuar nga institucionet kompetente që të ndalohet ky aktivitet, të cilin e konsiderojnë të dëmshëm si për njerëzit ashtu edhe për kafshët.
Sipas organizatorëve të protestës, në këtë vend është lejuar hedhja e një ton fishekzjarrëve, e që sipas tyre e tejkalon masën e lejuar sipas ligjit.
Luan Hasanaj ka thënë se një ton fishekzjarrë është në kundërshtim me ligjin dhe normat mjedisore, sidomos në një kampua universitar me hapësira të gjelbra.