Ka vazhduar edhe sot protesta e banorëve në fshatin Dumnicë të Podujevës, nga ku banorët e këtij fshati po kërkojnë të lirohen nga karantina, raporton Llapi.info.
Siç janë shprehur banorët e kësaj ane, fshatrat Dumnicë e Poshtme, Dumnicë e Epërme dhe Llaushë, duhet të hiqen nga karantina, pasi që sipas tyre, më nuk ka raste të tjera me COVID-19.
Vendimi që Dumnica e Poshtme, Dumnica e Epërme dhe Llausha, të futen në karantinë është bërë me 15 mars, pasi një person fillimisht ishte konfirmuar me virusin korona. Personi i parë i prekur më këtë virus kishte ardhur nga Italia, ndërsa ditë më vonë u konfirmuan edhe dy familjarë të tij të prekur me koronavirus.
Banorët e këtyre fshatrave vazhdimisht janë ankuar se nga karantina vetëm për krijohet panik. Ata janë ankuar se nuk po u lejohet të dalin edhe për raste emergjente.
Edhe sot banorët janë shprehur të pakënaqur me ndihmat komunale, duke e shprehur mllefin përpara drejtorit të Drejtorisë së Shëndetësisë në Podujevë, Zaim Thaçi.
“Ku janë 42 mijë euro? Ku është buxheti i ndarë? Le të vije kryetari edhe ua them edhe ati këto fjalë. Paratë janë tonat, ka shkuan? Kush i mori? Bëjeni regjistrin e hajdeni në Dumnicë. Kjo është hajgare”, i ka thënë drejtorit një banor i këtij fshati.
Drejtori Thaçi ka thënë se Komuna ka ndarë 125 mijë euro për ndihma, derisa ka kërkuar nga banorët që të formojnë një grup për t’u takuar./Llapi.info
Më poshtë pamjet e siguruara nga Llapi.info: