Banorët e fshatit Gërdoc të Podujevës kanë protestuar pranë Burgut të Sigurisë së Lartë në këtë vend, pasi, sipas tyre, ka pasur padrejtësi në punësimin në këtë institucion.
Banorët e këtij fshati thonë se kur është hapur burgu u ishte premtuar se në kushte të barabarta me kandidatët tjerë, do të kenë përparësi ata që vijnë nga ky fshat.
Sipas tyre gjashtë kandidatë nga ky fshat që konkurruan në konkursin e fundit të shpallur nga Shërbimi Korrektues i Kosovës për 120 gardianë, janë përballur me padrejtësi.
Banorët thonë se më shumë se 50 persona kanë aplikuar nga ky fshat, por nuk janë pranuar asnjë, gjithë kjo pasi siç thonë ata, nga padrejtësia që ka bërë komisioni vlerësues.
Njëri nga protestuesit i cili kishte aplikuar për njërin nga vendet e punës, Leutrim Bajrami, ka thënë se nuk është pranuar pavarësisht se ka pasur sukses në të gjitha fazat e testimit, përderisa, sipas tij, ka pasur aplikues që janë pranuar me më pak pikë.
Edhe Mon Sylejmani thotë se ata kanë arritur të grumbullojnë pikët e mjaftueshme për t’u zgjedhur oficer korrektues, por se u është bërë e padrejtë nga ky shërbim korrektues.
Protestuesit pas rreth gjysmë ore proteste të qetë janë shpërndarë dhe paralajmëruan se do të vazhdojnë me protesta tjera./Llapi.info